Balluku: Zgjerojmë aksin Tiranë-Durrës, vijojmë rrjetin hekurudhor. Bazë detare për NATO-n në Porto-Romano

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe njëherësh zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka bërë të ditur se aksi Tiranë–Durrës do të zgjerohet dhe do të bëhet me tri korsi edhe për kalimin e emergjencës.
Balluku vuri në dukje se nga ky zgjerim nuk do të ketë shpronësime masive, ndërsa theksoi se 5-vjeçarin e ardhshëm i gjithë ky rrjet do të jetë i integruar, pasi këtë vit do të nisë edhe ndërtimi i rrugës Kashar–Lekaj.
“Do të ketë një korsi të plotë secila anë po ashtu edhe korsinë e emergjencës, nuk do të ketë shpronësime masive, por është parashikuar që do të ketë një zgjerim, do të kthehet me tre korsi të plota. Tiranë–Durrës është shumë më e rëndësishme. Në 5-vjeçarin e ardhshëm i gjithë ky rrjet do të jetë i integruar me njëri-tjetrin pasi këtij vit do të nisë edhe ndërtimi i Kashar-Lekaj. Jemi në fazën përfundimtare më koordinatorët. Bajpasi i Tiranës do të jetë rregulluesi dhe lidhës për shumë rrugë. Të gjitha projeksionet për Ministrinë e Turizmit dhe ajo e Infrastrukturës kanë ndryshuar shumë dhe ndryshojnë me vit dhe jo thjesht me 5-vjeçar apo dekada,” tha Balluku.
Gjithashtu zëvendëskryeministrja shpjegoi se këtyre zhvillimeve në insfrastrukturë i shtohet edhe rrjetui hekurudhor, ku do të vijohet me ndërtimin e aksit Durrës-Rrogozhinë.
“Një komponent i rëndësishëm i transportit do t’i bashkohet edhe rrjeti hekurudhor. Sapo kemi marrë lajmin e mirë për vazhdimin e aksit me Durrës-Rrogozhinë.
Të gjitha këto krijojnë një paketë të rëndësishme për transportin hekurudhor, ka ardhur momenti që të ketë alternime duke na dhënë mundësinë e një transporti modern.
Një projekt i rëndësishëm është edhe ai që do të lidhë Durrësin me Prishtinën, një projekt hekurudhor shumë i rëndësishëm që mbështetet nga qeveritë dhe do të lidhë shqiptarët. Me përfundimin e studimit të fizibilitetit do të jemi të gatshëm për të hapur garën për të nisur më pas edhe këtë ëndërr të madhe të shumëpritur,” theksoi Balluku.
Ministrja shtoi gjithashtu se Porti i ri i Durrësit do jetë një nyjë e re në Mesdhe. Ajo tha se ky port “është një nga projektet më të rëndësishme dhe do ta vendosë Shqipërinë në një nivele tjetër. Do të jetë edhe një nyje ushtarake pasi i kemi propozuar NATO-s dhe kemi marrë njëlloj mbështetje për të pasur një bazë detare në zonën e Porto Romanos.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



