Banka e Shqipërisë prezanton Strategjinë Afatmesme 2025–2027

Ekonomi | 2 vite më parë

Banka e Shqipërisë ka zbuluar Strategjinë Afatmesme të Zhvillimit 2025–2027, e cila synon forcimin e stabilitetit financiar, modernizimin teknologjik dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian.

Dokumenti, paraqet masa konkrete për adresimin e sfidave ekonomike dhe rritjen e efektivitetit institucional.

Prioritetet kryesore në këtë strategji përfshijnë përmirësimin e politikës monetare përmes modeleve të avancuara makroekonomike dhe diversifikimit të instrumenteve; stabilitetin financiar dhe mbrojtjen nga rreziqet kibernetike përmes standardeve ndërkombëtare si ISO 27002 dhe implementimit të Bazel III; modernizimin e sistemit të pagesave, duke prezantuar pagesat në kohë reale dhe integrimin në sistemin TIPS; si dhe edukimin financiar, për të rritur ndërgjegjësimin mbi politikat monetare të vendit.

Pjesë e rëndësishme e kësaj strategjie është edhe objektivi i Bankës së Shqipërisë për intensifikimin e dialogut me institucionet evropiane dhe qeverinë shqiptare për të mbështetur reformat strukturore dhe zhvillimin e tregjeve financiare.

Për të përforcuar besimin ndaj publikut, Banka e Shqipërisë planifikon të përfshijë mjete të reja komunikimi, si dhe publikime më të qarta mbi politikën monetare dhe stabilitetin financiar.

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme