Bardhi: Dhuna verbale nuk është mjet politik! Hedh në erë bashkëjetesën brenda partisë

Mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike mbrëmjen e së martës (6 qershor) u shoqërua me debate e tensione, ndërsa kreu i Grupit parlamentar, Gazment Bardhi ka reaguar duke dënuar dhunën verbale.
Në një postim në Twitter, Bardhi shkruan se sjellja prej “ grupimi paramilitar” dëmton bashkëjetesën brenda partisë, ndërsa shton se, sipas tij, dërrmon “në mënyrë përfundimtare” besimin e qytetarëve tek PD.
“Dhuna verbale, presioni dhe shantazhi ndaj deputetëve të PD që mendojnë ndryshe nuk janë mjete politike. Kjo sjellje prej grupimi paramilitar hedh në erë bashkëjetesën brenda kësaj force politike dhe dërrmon në mënyrë përfundimtare besimin e qytetarëve tek PD. Duke dënuar me forcë aktet e dhunës kundër deputetëve të PD, anëtarëve të Kryesisë dhe gazetarëve, u kërkoj secilit kolegë të distancohen publikisht prej tyre. Përmes dhunës, presionit dhe shantazhit nuk ndërtohet asgjë afatgjatë, në interes të demokratëve dhe të Shqipërisë”, shkruan Bardhi.
Në mbledhjen e Kryesisë u vendos mbajtja e zgjedhjeve për Kryetar të PD-së më 29 korrik, vendim për të cilin jo të gjithë deputetët ranë dakord. Jorida Tabaku dha dorëheqjen nga posti i nënkryetares së PD-së pas këtij vendimi, duke be konsideruar vendimin për zgjedhjen e kryetarit si proces të nxituar dhe të njëanshëm.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




