Bardhi paralajmëron: PD do të bashkohet në 2024!

Deputetët opozitar mbështetës së ish-kryeministrit Sali Berisha dhe Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, do të vijojnë aktet e mosbindjes civile në Kuvend edhe në sesionin e ri.
Kjo është konfirmuar nga Gazment Bardhi në një intervistë për RTSH-në. Bardhi tha se nëse mazhoranca nuk reflekton për kërkesat e opozitës, si ngritja e komisioneve hetimore dhe rikompozimi i komisionit të reformës zgjedhore, deputetët mund të përshkallëzojnë aksionin, ku nuk përjashtohet mundësia e ngujimit në Parlament.
“Ne kemi diskutuar në mbledhjet e grupit parlamentar secilin prej opsioneve. Kemi marrë vendim se nuk përjashtohet asnjë veprim apo akt, qofshin ato edhe akte ekstreme”, tha Bardhi.
Ai insiston që shumica të tërhiqet nga ligji për komisionet hetimore, pasi sipas tij me këtë nismë i heq opozitës të drejtat e kontrollit parlamentar. Bardhi i kërkon Presidenti Begaj, të cilit i është drejtuar edhe zyrtarisht, të mos e dekretoje ligjin e miratuar vetëm me votat e mazhorancës. Ndërkohë Bardhi e konsideron jetike për garantimin e zgjedhjeve të lira, hartimin e reformës zgjedhore sa më konsensuale mes palëve.
“ Uroj shumë të ketë reflektim nga ana e mazhorancës për t‘u ulur në tryezë dhe për të pasur një reformë zgjedhore, që jep garancitë minimale për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, u shpreh Bardhi.
Kreu i grupit parlamentar konfirmon për RTSH-në se po dialogohet me grupimin e Berishës për bashkimin e PD-së. Ai është shpresëplotë se viti 2024 do të konkretizojë procesin.
“Nuk ka asnjë dyshim, për sa kohë është i vetmi opsion që e forcon Partinë Demokratike dhe opozitën në tërësi”, theksoi Bardhi
Masa e arrestit në shtëpi për Berishën, nuk shihet nga Bardhi si pengesë për procesin e bashkimit.
“Ndoshta është më shumë nxitje për të ecur drejt kësaj rruge (bashkimit), me vendosmërinë se kundërshtari ynë i vetëm është Kryeministri Edi Rama”, tha ai.
Gazetare Anisa Kadesha
/ rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




