Bardhi replikon me Berishën: Askush nuk duhet ti imponohet apo injorojë mendimin e grupit parlamentar

Mbledhja e grupit parlamentar të PD-së, vijon të provokojë një seri debatesh mes zyrtarëve të lartë të kësaj partie, si dhe ish- kryeministrit, Sali Berisha, i shpallur “non grata” nga SHBA. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, i është përgjigjur Berishës, pasi ky i fundit tha se do të marrë pjesë në mbledhjen e grupit parlamentar të thirrur nga kryetari i komanduar, Enklejed Alibeaj.
Zoti Bardhi thotë se deputetët duhet të jenë të lirë që të bëjnë vlerësimin e tyre nëse një person i shpallur “non grata” nga SHBA, duhet të jetë apo jo pjesë e gurpit parlamentar të PD-së.
Sipas Bardhit, deri atëherë çdo sjellje tjetër që i imponohet me kokfortësi grupit parlamentar, pa e pyetur dhe duke e injoruar atë, “është e papranueshme”.
‘Një parti ku nuk respektohet vullneti, qëndrimi dhe vlerësimi i Grupit Parlamentar është parti personale, por jo demokratike. Askush nuk duhet ti imponohet apo injorojë mendimin e Grupit Parlamentar, kjo është përdhosje e dinjitetit të çdo deputeti. Deputetët duhet të kenë të drejtë pa asnjë kompleks apo presion të bëjnë vlerësimin e tyre nëse një person i shpallur non grata nga SHBA duhet apo jo të jetë pjesë e grupit. Deri atëherë askush nuk mund të imponohet. Çdo sjellje tjetër që i imponohet me kokëfortësi grupit parlamentar, pa e pyetur dhe duke e injoruar atë, është e papranueshme dhe jo demokratike.’- shkruan Bardhi.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




