Bardhi takon reporteren për Shqipërinë: Zbatimi i vendimeve të Kushtetueses, prioritet i opozitës

Politikë | 3 vite më parë

Kryetari i Grupit Parlamentare të Rithemelimit, Gazment Bardhi ka zhvilluar sot një takim me, raporteren për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Znj. Isabel Santos.

Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi shkruan se e informoi për përpjekjet e opozitës që Shqipëria të ketë një Parlament funksional, që respekton të drejtat kushtetuese të opozitës, lejon kontrollin efektiv ndaj Qeverisë, dhe që punon në interes të qytetarëve.

“Moszbatimi nga Kuvendi i vendimeve të Gjykatës Kushtetutese është minim i parimeve të shtetit ligjor dhe akti më brutal antikushtetues i ndodhur në 33 vite. Mazhoranca duhet të heq dorë nga tentativa për të kontrolluar politikisht institucionet e drejtësisë dhe nga çdo përpjekje për të ndërhyrë në punët e organeve të drejtësisë”citon Bardhi.

Gjithashtu deputeti Bardhi e ka informuar raporteren për Shqipërinë dhe për bllokimin nga mazhoranca e Komisioit të  Reformës Zgjedhore.

“E informova për bllokimin 2 vjeçar të Reformës Zgjedhore nga mazhoranca dhe nevojën që ka Shqipëria, si vend kandidat për anëtar të BE, që të realizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme vitin e ardhshëm”.

Në fund të takimit, Bardhi i ka shprehur reporteres Santos, se, “për opozitën përmbushja e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, garancitë për barazi të palëve në zgjedhje, dhe zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, janë një prioritet jo vetëm i shpallur, por pikënisja e një reforme kuptimplotë zgjedhore, që duhet përmbyllur sa më parë në kohë”.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme