Basha : Do mposhtim të keqen dhe do rinisim rrugëtimin drejt Europës!

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përkujtoi sot 22 Marsin 1992, të cilën e konsideroi si “ditën e madhe të demokracisë në Shqipëri”.
Në një aktivitet të organizuar për përkujtimin e ditës së fitores së zgjedhjeve të 22 marsit 1992, Basha tha se “pas një terri të gjatë dhe pas një rrugëtimi në tunel të errët, drita e shpresës shënoi fillimin e udhëtimit tonë drejt Shqipërisë europiane”.
“Fitorja e parë e zgjedhjeve nga Partia Demokratike, është një ditë domethënëse jo vetëm për ne demokratët, po për të gjithë shqiptarët. Ajo ishte ora e ndarjes përfundimtare me diktaturën dhe fillimi i një procesi të ri, vërtet të gjatë dhe të lodhshëm, por të domosdoshëm për një vend që aspiron të bëhet anëtar i Bashkimit Europian”, tha Basha.
Basha tha se “22 Marsi, kjo ditë e shpresës, ditë e fitores, kthehet sot në një frymëzim dhe angazhim të ri për ne që të japim gjithçka që kemi për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë”,.
“22 Marsi i 92’-shit ishte dhe mbetet dita e një bashkimi të jashtëzakonshëm të shqiptarëve, ndërsa me ndihmën tuaj, me kontributin tuaj dhe me punën e gjithsecilit prej nesh, le ta kthejmë 25 Prillin në këtë 29 vjetor të ardhjes të demokracisë së vërtetë në Shqipëri në një ditë ku ëndrra juaj, ëndrra e themeluesve, ëndrra e fitimtarëve të parë të Partisë Demokratike dhe të përfaqësuesve të parë të Partisë Demokratike si forcë qeverisëse në parlamentin shqiptar për Shqipërinë si gjithë Europa, të fillojë të konkretizohet”, tha ai.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




