Basha drejt marrjes së drejtimit të PD? Alibeaj: Dorëheqja ime i hap rrugë një procesi të shpejt riorganizimi

Politikë | 3 vite më parë

Pas dorëheqjes së Enkelejd Alibeajt si kryetar i komanduar, Partia Demokratike ka mbetur tashmë pa një drejtues, por a i hap rrugë dorëheqja e Alibeajt drejtimit të PD-së nga Lulzim Basha?

I ftuar në emisionin “Publikisht” të Blerta Tafanit në RTSH, nënkryetari i PD-së u shpreh se dorëheqja e tij i hap rrugën riorganizimit të partisë, teksa shtoi se hapësira për të kandiduar duhet të jetë  për këdo.

Megjithatë, sipas Alibeajt, drejtuesi i PD-së nuk ka shumë rëndësi në krahasim me shumë vlera të tjera që, sipas tij, partia duhet t’i tregojë.

“Dorëheqja ime i hap rrugë një procesi të shpejt riorganizimi të PD. Zgjedhjet e 2025 PD nuk duhet t’i humbasë. Kam dashur që edhe me largimin nga drejtimi i PD të merrte spunto riorganizimi i PD, pastaj kush kandidon dhe si kandidon besoj se është çështje jo aq e rëndësishme sesa disa vlera të tjera që PD duhet të tregojë, ndarje pushtetesh brenda partisë, garë e ndershme, janë rregulla që një parti moderne duhet t’i ketë parasysh. Hapësira për të kandiduar duhet të jetë për këdo. Gjykimit të atyre që do votojnë duhet t’i bindet kushdo. Ajo që unë besoj se është një nga vlerat që duhet të demonstrojë PD nuk është kush do drejtojë PD por të krijojmë një ndjesi të brendshme që partia është shumë më e madhe se lideri drejtues”, tha Alibeaj.

Enkelejd Alibeaj u dorëhoq si kryetar në detyrë i Partisë Demokratike dhe si kreu i grupit parlamentar demokrat pas rezultatit të dobët të partisë në zgjedhjet vendore të 14 majit. PD nuk fitoi në asnjë bashki në zgjedhje, ndërsa rezultat të dobët pati edhe në numrin e mandateve që mori për Këshillat Bashkiakë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme