Basha në KiE: Nëse dështojmë me Ukrainën, i vjen radha Ballkanit

Kreu i PD-së, Lulzim Basha në fjalën e tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës e vuri theksin për më shumë mbështetje për Ukrainën. Ai tha se nëse dështohet me mbështetjen ndaj Ukrainës, rreziku është i larët dhe se “Ballkani do të jetë i radhës”.
“Mos gaboni, rreziku është i lartë. Nëse dështojmë për të mbështetur dhe fuqizuar Ukrainën do ta paguajmë shtrenjtë. Ballkani do të jetë i radhës. Një tentativë tashmë e dështuar për grabitjen e territorit dhe ndryshimin e kufijve ndodhi në Shtator të vitit të kaluar. Nuk është një incident i izoluar. Është një përpjekje për të ndryshuar arkitekturën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe sabotuar mbrojtjen Euro-Atlantike të kësaj arkitekture të sigurisë”, tha Balla.
Ndalur te shkatërrimi që ka shkaktuar lufta, Basha tha se Federata Ruse duhet të mbahet përgjegjëse për kompensimin e humbjeve njerëzore dhe materiale.
“Siç është deklaruar tashmë nga Asambleja Parlamentare në Rezolutën “Për sigurimin e një paqe të drejtë në Ukrainë dhe sigurisë së qëndrueshme në Europë”, kjo do të përfshijë ngritjen e një mekanizmi të kompensimit të plotë, duke përfshirë një komision ndërkombëtar për ekzaminimin e pretendimeve për dëmet e regjistruara në Regjistrin e Dëmeve dhe një fond kompensimi për të paguar vendimet për dëmshpërblim të dhëna nga Komisioni, veçanërisht duke konfiskuar dhe vënë në dispozicion pasuritë e Federatës Ruse për të paguar për dëmet e luftës në Ukrainë. Kjo do të mundësojë përdorimin e këtyre pasurive si një mjet për të detyruar shtetin agresor të përmbushë detyrimet e tij ndërkombëtare”, tha Basha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




