Basha: PD mbështet SPAK-un, t’i jepet fund pandëshkueshmërisë

Në Kuvendin zgjedhor të degës 6 të Partisë Demokratike në Kombinat, kryedemokrati Lulzim Basha ka deklaruar se kur të fillojë konkretisht fundi i pandëshkueshmërisë atëherë do të kemi edhe një kulturë politike në vend.
Sipas Bashës, Partia Demokratike mbështet pa kompromis drejtësinë në mënyrë që t’i jepet fund pandëshkueshmërisë, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Mesazhet e aleatëve tanë janë të qarta: mbështetje pa kompromis për drejtësinë, fund pandëshkueshmërisë, luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Qëndrimet tona janë të qarta dhe do të jenë të qarta deri në fund. Asgjë në këtë botë nuk është përfekte, as reforma në drejtësi, as SPAK-u. Por SPAK-u ka përsipër një mision të ngarkuar nga shqiptarët, me pritshmëri të larta nga shqiptarët, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Dhe këtu padiskutim që PD e shikon fare qartë interesin publik. Angazhimi ynë për një kulturë të re politike fillon me fundin e pandëshkueshmërisë, fillon me barazinë para ligjit”, theksoi Basha gjatë fjalës së tij para demokratëve.
Basha vuri në dukje se Shqipëria s’mund të ketë lidhje me Evropën për sa kohë ndëshkohen qytetarët për shkeljet më të vogla ndërsa të mëdhenjtë që vjedhin milionat dhe që abuzojnë me pushtetin i shpëtojnë ndëshkimit të ligjit.
“Aty ku qytetarët gjobiten me të drejtë apo me të padrejtë, arrestohen për shkeljet më të vogla, por më të mëdhenjtë e shkelësit të ligjit, ata që vjedhin miliona, që dhunojnë, që abuzojnë dhe akumulojnë pushtet i ikin ndëshkimit, një shoqëri e tillë nuk ka lidhje as me Europën, as me të ardhmen që ne projektojmë për fëmijët tanë. Ndaj hapi i parë pa pikë diskutimi, duhet të jetë fundi i pandëshkueshmërisë.
Ky është prioritet politik i Partisë Demokratike, sepse është prioritet jetik për shqiptarët dhe nga kjo buron edhe dhënia pa asnjë kompleks, pa asnjë kusht, pa asnjë rezervim e mbështetjes politike nga PD për SPAK për të kryer deri në fund misionin që është ngarkuar”, shpjegoi Basha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




