“Bashkë Fitojmë”, Berisha “shpërfill” Celibashin, hyn si PD! Ndoka për RTSH: Rama dështoi!

Politikë | 4 vite më parë

“Bashkë Fitojmë” është pagëzuar koalicioni midis PDK-së, PL-së dhe PBDNJ-së, koalicion në të cilin do të jetë i përfshirë edhe Rithemelimi i Sali Berishës. Kjo u bë e ditur për rtsh.al nga kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka.

Lideri i këtij koalicioni, sipas kreut të demokristianëve, do të jetë Sali Berisha. Sipas Ndokës regjistrimi si koalicion nuk zbeh aspak rolin e PD si pjesë përbërëse e këtij koalicioni dhe është dëshmi e dështimit të “ndërhyrjeve të Ramës për të lënë jashtë zgjedhjeve opozitën”.

Ndoka shprehet i bindur për fitoren e këtij koalicioni në zgjedhjet vendore të 14 maji.

Lajmi është konfirmuar edhe nga KQZ, me paraqitjen e kërkesës zyrtare të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për regjistrimin në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Ajo që bie në sy është fakti se në kërkesën e paraqitur nga Partia e Lirisë në KQZ me firmën e Endrit Braimllarit, në listën e partive përbërëse të koalicionit figuron edhe Partia Demokratike e Shqipërisë.

Nisur nga zhvillimet dhe vendimet në KQZ është e paqartë nëse formulimi “Partia Demokratike Shqipërisë” do të miratohet duke pasur parasysh se kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka njohur si kryetar ligjor të PD, Lulzim Bashën dhe ka rrëzuar Berishën që të garojë me logon e PD-së.

Në kërkesën dërguar KQZ theksohet se “bashkimi bëhet si garant i ndryshimit dhe instrument për forcimin e zërit qytetar opozitar, ku drejtuesi politikë i koalicionit është PD dhe partia udhëheqëse është Partia e Lirisë”.

“Bashkë Fitojmë” koalicioni PD i Berishës, PL, PBDNJ e PDK për 14 majin 2023 by Rtsh Faqe on Scribd

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme