“Bashkë Fitojmë” merr 7 mandate për kryebashkiakë, por këshillat bashkiakë kontrollohen nga PS

Politikë | 3 vite më parë

Të fitosh mandatin si kryetar bashkie është njëra anë e medaljes, pasi votimet shpesh ndikohen edhe nga personaliteti i kandidatit, por të kesh shumicën në këshillin bashkiak, ose siç quhet ndryshe “parlamenti i vogël”, është ana tjetër e medaljes, e cila, në një farë mënyre, ka jo pak ndërlikime në drejtimin e bashkive.

Mbështetur në rezultatet zyrtare, koalicioni „Bashkë Fitojmë”, ka fituar 7 bashki në shkallë vendi. Ato janë në: Kavajë, Himarë, Pukë, Fushë- Arrëz, Has, Memaliaj, Mirditë. Por kjo fitore e “BF”-së, duket se nuk do të ketë „shkëlqimin“ e duhur, pasi nga rezultatet e deritanishme, këshillat bashkiakë, në zonat ku ka fituar “BF”, dominohen nga socialistët dhe aleatët e tyre social- demokratë.

Çdo kryetarë bashkie duhet të bashkëpunojë shumë me këshillin bashkiak, pasi ky organ vendos për buxhetin dhe projektet e bashkisë. Pa votën në këshillin bashkiak, asnjë kryebashkiak nuk hedh dot hap.

Himarë

Në Himarë, ku fitues doli, Fredi Bejleri i “BF”-së, i arrestuar për shit- blerje të votave, këshilli bashkiak dominohet tërësisht nga socialistët. Kjo ja ngushton tërësisht hapësirat Bejlerit, i cili duhet të zhvillojë negociata të vështira me kundërshtarët politik, të cilët ka pak gjasa që ti krijojnë atij komoditetin për të qeverisur lirshëm. Deri tani PS ka marrë 10 mandate, në këshillin bashkiak, “BF” 6 mandate, dhe PD 1 mandat. Siç shihet është PS që komandon këshillin bashkiak.

Memaliaj

Në një situatë  jo më të mirë gjendet edhe fituesi i bashkisë në Memaliaj, përfaqësues i “BF”-së, Albert Malaj. Në bazë të rezultateve nga 15 këshilltarë, PS ka fituar 7 mandate, “BF” 3 mandate, PD 2 mandate dhe PSD, PAA, PDS me nga një mandat.

Has

Nga ana tjetër, PS ka shumicën edhe në këshillin bashkiak të Hasit, ku fitues doli kandidati i opozitës së koalicionit “BF”, Miftar Dauti. Deri tani ka siguruar 4 mandate, “BF” 3 mandate, PD 1 mandat, PSD 2 mandate. Po 2 mandate ka marrë edhe LZHK, kurse nga 1 mandat kanë marrë PR, PLL, PDIU, AAK, PBK, PGJ, PKKA. Bashkia Has ka 21 vende në këshillin bashkiak.

Kavajë

Jo pak e ndërlikuar paraqitet situata edhe në këshillin bashkiak të Kavajës, të fituar nga koalicioni “BF”, me kandidat Fisnik Qosja. Deri më tani, PS, pavarësisht se humbi bashkinë, ka 19 mandate, “BF” 6 mandate, PAA me 3 mandate, PD 2 mandate dhe PSD 1 mandat.

Pukë

PS dhe aleatët e saj dominojnë edhe këshillin bashkiak në Pukë, të fituar nga kandidati i koalicionit opozitar, “BF”, Rrok Doda. PSD kryeson me 4 mandate nga 15 që janë në total, Partia Socialiste dhe Aleanca Arbnore Kombëtare me nga 2 mandate, “Bashkë Fitojmë”, PD, Partia Aleanca Demokratike e Shqipërisë, Partia Balli Kombëtar, Fronti i Majtë dhe Fryma e Re Demokratike, kanë arritur të sigurojë vetëm nga 1 mandat.

Fushë- Arrëz

Pavarësisht fitores, edhe në Fushë Arrëz, këshilli bashkiak duket se dotë dominohet nga PS dhe aleatët e saj, pasi “BF” ka siguruar vetëm një mandat. PSD ka marrë 3 mandate nga 15 që janë në total, Partia Agrare Ambientaliste ka marrë 3 mandate, PS ka siguruar 2 mandate, Partia Kristian Demokrate 2 mandate, “Bashkë Fitojmë” ka siguruar vetëm një mandat. Edhe PD ka arritur të sigurojë vetëm një mandat. Aleanca Liberale e Djathtë, Fryma e Re Demokratike dhe PDIU kanë marrë gjithashtu nga një mandat.

Mirditë

Jo pak e ndërlikuar paraqitet situata edhe në bashkinë Mirditë, sa i përket këshillit bashkiak. Partia Social Demokrate ka marrë 4 mandate, nga 21 mandate në total, PS 4 mandate, PSD 1 mandat, 1 mandat AAK dhe 2 mandate MEGA.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme