Bashkia Belsh, fitorja e ngushtë e kandidatit të PS, KAS shqyrton nesër ankimin e koalicionit “Bashkë Fitojmë“

Fitorja me “foto-finish“ për Bashkinë Belsh e kandidatit të PS, Arif Tafani, që mori 50.23% të votave, përballë Bedri Qypit të koalicionit “Bashkë Fitojmë“, që mori 49.77% të votave në zgjedhjet vendore të 14 majit, ka bërë që koalicioni “BF“, ta ankimojë këtë rezultat në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve.
Ankimimi i “BF“-së pritet të shqyrtohet të martën nga KAS, në një seancë publike. “BF”, për Bashkinë Belsh, kërkon “rinumërim dhe rivlerësim të votave, për të gjitha qendrat e votimit të njësisë zgjedhore”.
Kërkesa ankimore, me ankues subjekti zgjedhor koalicioni “Bashkë Fitojmë”, ka si objekt kundërshtimin e vendimit “Për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve” për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë Belsh, në zgjedhjet vendore të 14 majit.
“BF“ kërkon rinumërimin dhe rivlerësimin e votave në të gjitha qendrat e votimit të njësisë zgjedhore, Bashkia Belsh, dhe miratimin e tabelës përmbledhëse për zonën zgjedhore Bashkia Belsh, duke përfshirë në të rezultatin e dalë nga rinumërmi dhe rivlerësimi i votave.
Koalicioni “BF“ kërkon edhe pavlefshmëri për zgjedhjet e zhvilluara në QV nr. 2565/01 IEVP, Burgu Kosovë, të zonës zgjedhore Bashkia Belsh, si dhe ndryshimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit për kandidatët për kryetar Bashkia Belsh, duke mos përfshirë rezultatin e QV me nr. 2565/01 IEVP Burgu Kosovë.
Mbështetur në këto pretendime, “BF“ kërkon shpalljen si kandidat fitues për zgjedhjet për kryetar Bashkia Belsh të kandidatit të saj, Bedri Qypi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




