Bashkia Tepelenë e përfshirë në dy projekte për zhvillimin e turizmit

Për herë të parë Bashkia e Tepelenës përfshihet në projekte të nivelit europian në fushën e turizmit. Projekti ADRILINK synon t’i japë gjithë zonës mundësinë për të qënë pjesë e rrjetit të integruar digjital të promocionit, ku përfshihet rajoni Adriatiko-Jonian. Ky projekt financohet nga BE në shifrën e 2.4 mln euro, ku 5% të vlerës e zë kjo bashki.
“Njëri ka të bëjë me pjesën Adriatiko-Joniane, ku jemi mes 11 partnerësh, i cili ka në fokus gjithë promovimin e resurseve natyrore, kulturore dhe bizneseve që operojnë sot në fushën e turizmit. Janë shtete që lagen nga ujrat e dy deteve. Kemi nisur zbatimin e ketij projekti, me biznese por edhe individë që pretendojnë për të qënë pjesëtarë të gjithë atij produkti që do të prodhohet. Shumë shpejt do kemi një hartë digjitale të promovuar ndërkombëtarisht brenda kësaj pakete të integruar të këtyre 11 partnerëve e cila nuk është vetëm risi për Shqipërinë, por edhe për BE.” – thotë Aleks Toti, përgjegjës i Zyrës së Integrimit Evropian dhe Ndihmës së Huaj.
Një tjetër projekt është ai që zhvillohet nëpërmjet programit IPA – Cross Border me Greqinë, ku përfshihen një sërë aktivitetesh.
“Përfshin sinjalistikë turistike dhe rikonstruksionin e ujësjellësit të Bënçës, një ndërtim i kohës së Ali Pashës. Do të ndërtohen bashkë me to, broshurat turistike, sinjalistika, dhe info pointët. Trajnime specifike për individë dhe biznese të cilat janë në hapat e parë dhe e kanë të domosdoshme, orientimin drejt një turizmi të mirë dhe të shitshëm.” –thotë Toti.
Të dyja këto projekte janë mundësi të arta për Tepelenën, ku deri tani përpjekjet për të ndërtuar një strategji zhvillimi për turizmin kanë qënë në nivele të ulëta.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




