Basketboll/ Darko Vujaçiç, trajneri i ri i Goga Basket

Basketboll | 5 vite më parë

Ka zgjatur vetëm pak ditë të qenit bosh i stolit të Goga Basket, pasi skuadra ka gjetur një emër të ri dhe ai është Darko Vujaçiç. Malazezi është kështu trajneri i ri i ekipit Goga Basket dhe këtë e ka bërë të ditur të martën në mbrëmje skuadra bregdetare në një postim në rrjetet sociale, e cila ka veçuar se Vujaçiçi ka një përvojë mjaft të gjerë si trajner, ku, ndër të tjera, ka udhëhequr në 2019-n ekipin e përfaqësueses të Nën-18-vjeçarëve të Malit të Zi në Kampionatin Europian të kësaj grupmoshe, ndërsa më parë, në 2018-ën, ka qenë edhe trajner i përfaqësueses së të rriturve të Malit të Zi.

Prej disa vitesh, ai ka qenë edhe trajner i ekipit të Ulqinit. Emërimi i malazezit vjen pak ditë pasi Melzin Lazimi u largua nga posti i trajnerit të Goga Basket. Një gjë e tillë u bë e ditur të shtunën, vetëm disa orë përpara ndeshjes me Partizanin, e cila është luajtur në Pallatin e Sportit “Dhimitraq Goga” të Durrës.

Ky vendim i Lazimit, sipas njoftimit të Goga Basket, vjen si rrjedhojë e mosrealizimit të objektivit të fitimit e Kupës së Shqipërisë dhe mospërputhjes me strategjitë e Bordit për drejtimin e skuadrës në të ardhmen.

Malazezi Darko Vujaçiç është një njohje e vjetër e basketbollit shqiptar, teksa para 5 vitesh ka qenë trajneri i Kombëtares kuqezi të Nën-20-vjeçarëve, por edhe, së fundmi, trajner i Vllaznisë.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme