BE-ja ka ngrirë asete ruse me vlerë rreth 17 mld euro, 300 mld euro janë të Bankës Qendrore të Rusisë

Bashkimi Evropian ka ngrirë asetet ruse me vlerë rreth 17 miliardë euro (16.9 miliardë dollarë), që kur Moska pushtoi Ukrainën. Deklarata u bë nga komisioneri i drejtësisë i BE-së, Didier Reynders, në një intervistë të botuar të shtunën, 29 tetor.
Shifra është rritur me rreth 13.8 miliardë euro asete të ngrira nga oligarkët dhe entitetet e tjera. Reynders në korrik njoftoi se BE-ja kishte ngrirë asetet kryesisht në pesë vende.
“Deri më tani, pasuritë e 90 personave janë ngrirë, më shumë se 17 miliardë euro në shtatë shtete anëtare, duke përfshirë 2.2 miliardë euro në Gjermani,”- i tha ai grupit të mediave gjermane Funke, duke përfshirë të përditshmen Ëestdeutsche Allgemeine Zeitung.
Zyrtarët ukrainas kanë bërë thirrje që asetet të përdoren për të rindërtuar vendin e tyre pas luftës.
“Nëse janë para kriminale të konfiskuara nga BE-ja, është e mundur që ato të transferohen në një fond kompensimi për Ukrainën”, tha zoti Reynders në intervistë.
“Kjo shumë është larg nga të qenit e mjaftueshme për të financuar rindërtimin,”- shtoi ai.
Reynders vuri në dukje se sanksionet perëndimore kanë çuar gjithashtu në “ngrirjen e 300 miliardë eurove” të rezervave valutore të Bankës Qendrore të Rusisë në të gjithë botën, duke thënë se kjo mund të përdoret si garanci.
“Nga këndvështrimi im, është të paktën e mundur të mbahen këto 300 miliardë euro si garanci derisa Rusia të marrë pjesë vullnetarisht në rindërtimin e Ukrainës”, tha ai.
Që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014, 1236 persona, përfshirë presidentin rus Vladimir Putin dhe ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov, si dhe oligarkët, përfshirë Roman Abramovich, janë subjekt i ngrirjes së aseteve dhe ndalimit të hyrjes në BE. Lemonde
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




