BE jep dritën jeshile, hapen negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë

Botë | 3 vite më parë

27 liderët e Bashkimit Evropian vendosën këtë të enjte (14 dhjetor) të fillojnë negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë.

Blloku gjithashtu i dha Gjeorgjisë statusin e vendit kandidat, pasi më parë i ishte mohuar një titull i tillë. Lajmi është bërë i ditur nga Charles Michel, presidenti i Këshillit Evropian, teksa shtoi po ashtu se BE do të hapë edhe negociatat me Bosnje dhe Hercegovinën “pasi të arrihet shkalla e nevojshme e pajtueshmërisë me kriteret e anëtarësimit”.

“Këshilli Evropian ka vendosur të hapë negociatat e pranimit me Ukrainën dhe Moldavinë. KE i dha Gjeorgjisë statusin e kandidatit. Dhe BE-ja do të hapë negociatat me Bosnje dhe Hercegovinën sapo të arrihet shkalla e nevojshme e përputhshmërisë me kriteret e anëtarësimit dhe ka ftuar komisionin të raportojë deri në mars me synimin për të marrë një vendim të tillë. Një sinjal i qartë shprese për popullin e tyre dhe për kontinentin tonë”, shkruan Michel.

Ky vendim, erdhi mes kërcënimeve të vetos dhe retorikës antagoniste të kryeministrit hungarez Viktor Orbán. Megjithatë ai e hoqi veton. Pas zgjidhjes së çështjes së zgjerimit, udhëheqësit e BE-së tani do të përfshihen në negociatat për rishikimin e buxhetit të përbashkët të bllokut, i cili përfshin një fond special prej 50 miliardë eurosh për t’i ofruar Ukrainës mbështetje financiare afatgjatë.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme