‘Beccheti”, Rama: Po analizojmë mundësinë e daljes fare nga juridiksioni i Arbitrazhit

Qeveria shqiptare është e vendosur të vijojë betejën ligjore me Francesko Becchetin, për të mos paguar gjobën prej mbi 100 milionë eurosh të vendosur nga Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar.
Madje po shihet dhe mundësia për të dalë jashtë juridiksionit të kësaj gjykate, paralajmëroi kryeministri Edi Rama në daljen për medien sot pas mbledhjes së qeverisë.
“Një kriminel i gjykuar dhe i dënuar me 17 vite burg për mashtrim të shtetit shqiptar arrin të çajë rrugën në një gjykatë në të cilën ne do të hapim probleme të mëdha duke nisur nga java e ardhshme dhe nga e cila po analizojmë mundësinë e daljes fare nga juridiskioni sepse është skandaloze ajo që ka ndodhur”
Rama mohon që shteti shqiptar ka paguar gjobë Becchetit, duke akuzuar opozitën por dhe disa media pranë saj se kanë spekuluar.
“Ajo që ka rëndësi është se po këta njerëz i kanë thënë publikut që Shqipëria i ka paguar këto para dhe ka shpërndarë fletëpalojse poshtë dyerve që ikën 100 milionë, por këto 100 milionë nuk kanë ikur dhe nuk janë fare në xhepin e atij mashtruesi. Është momenti që t’i kërkoni falje që keni gënjyer. Luftën me të e bëjmë dhe do ta bëjmë edhe pa këtë soj të prishur shqiptarësh.”
Por a ka pasur bllokim të llogarive të Albkontrollit në Bruksel?
Pyetjes së gazetarëve Rama nuk i përgjigj pasi tha se detyra e tij “ishte të ruante konfidencialitetin e procesit”
Kryeministri gjithashtu saktësoi se deri më sot “Shqipëria nuk ka paguar asnjë lekë palëve që kanë çuar Shqipërinë në Arbitrazh.
“Sepse kjo është një botë shumë e komplikuar dhe me shumë procedura. Ne po bëhemi gjithnjë e më të aftë për të përballuar presionin dhe ndërveprimet e përplasjet në atë botë, ku edhe mashtrues si puna e këtij krimineli që u dënua këtu 17 vjet arrin të penetrojnë ndonjëherë dhe e bëjnë jo vetëm me Shqipërinë por dhe me institucione të mëdha ndërkombëtare qofshin financiare dhe jo financiare,” deklaroi Rama
Më 5 prill në një dalje për mediat Zv.kryeministrja Belinda Balluku njëherësh ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë deklaroi se Shqipëria ka të drejtë të mos e marrë parasysh vendimin e Gjykatës Supreme të Mbretërisë së Bashkuar, që ka refuzuar kërkesën e Shqipërisë për rihapjen e çështjes me biznesmenin italian, Francesko Becchetti.
Berisha kundër
Ndërkohë ish kryeministri Sali Berisha dënon qëndrimin e kryeministrit Rama, për të dalë nga juridiksioni i Gjykatës së Arbitrazhit.
“Arbitrazhi Ndërkombëtar është nën ombrellën e Bankës Botërore, rrjedhimisht të OKB-së. Kjo pasi institucionet e Bretton Woods, BB, FMN dhe IFC, janë institucione të OKB-së. Arbitrazhi i kësaj organizate është i detyrueshëm për të gjithë anëtarët, për të gjithë vendet anëtare të BB dhe OKB.
Edi Rama, për shkak të korrupsionit të tij të tmerrshëm, kërkon të ndëshkojë Shqipërinë, tani jo vetëm 110 milionë euro sa është gjoba, por në shumë e shumëfishin e saj, për të mos thënë 100fishin e saj. Po në këtë arbitrazh dhe arbitrazhe të tjera, janë një seri procesesh të cilat shkojnë më së paku, 600 milionë euro” tha Berisha po sot në një konferencë për median.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




