Begaj: Autoritetet e Kosovës duhet të kenë durim, të dëgjojnë dhe të koordinohen me partnerët tanë strategjikë

Politikë | 3 vite më parë

Situata më e fundit në veri të Kosovë, por edhe efektet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, kanë qenë në qendër të një konferece për shtyp midis presidentit, Bajram Begaj dhe homologut të tij estonez, Alar Karis, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në vendin tonë.

Kreu i shtetit nënvizoi se konflikti në veri të Kosovës nuk i shërben stabilitetit të rajonit, aq më shumë integrimit në BE. Sipas tij, askush nuk është i kënaqur me këtë situatë apo sjellje që nuk i shërbejnë stabilitetit të rajonit.

 “Në kohën kur të gjithë ne prisnim të zhvilloheshin negociata mes Kosovës e Serbisë, kemi pasur një tensionim të situatës, e cila ka ardhur si rrjedhojë e keqpërdorimit të popullatës serbe në veri të Kosovës dhe ushtrimit të dhunës nga grupe kriminale. Kjo sjell pasoja për rajonin, por edhe për komunitetin ndërkombëtar, siç është sforcimi i panevojshëm i partneriteteve”– theksoi Begaj.

 Sipas tij, kjo situatë kërkon zgjidhje, e cila, “duhet të merret në konsideratë nga drejtuesit dhe 2 faktorët kryesorë”.

“Sa i përket nismave rajonale, ato janë positive, të domosdoshme dhe të rëndësishme. “Ballkanin i Hapur” është një iniciativë e konceptuar vetëm si ekonomike dhe që do të sjellë përfitim përmes shkëmbimit të mallrave, lëvizjes së lirë të njerëzve. Çdo iniciativë rajonale është e lidhur me objektivin tonë strategjik që është integrimi në BE. Nëse nuk bashkëpunojmë me njëri tjetrin, si mund të kërkojmë të bashkëpunojmë me komitetin e BE-së?”,- theksoi Begaj.

Presidenti Begaj informoi se ka komunikime me autoritetet në Kosovë dhe u kërkon atyre që të kenë durim e të koordinohen me partnerët strategjikë për të gjetur zgjidhje.

“Komunikimi im me Kosovën është i vazhdueshëm si  me autoritetet më të larta, ashtu edhe me komandantin e KFOR dhe disa president të rajonit. Kam shprehur mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën, si dhe kam vënë theksin te marrëveshja në Bruksel dhe anekset e dakordësuara në Ohër. Duhet të fokusohemi te prioritetet. Sovraniteti dhe integriteti i Kosovës është i domosdoshëm. Autoritetet e Kosovës duhet të kenë durim dhe të dëgjojnë e të koordinohen me partnerët tanë strategjikë.”,- nënvizoi Begaj.

 /rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme