Begaj takon kreun e OKB: Angazhimi i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, konfirmim i rolit si faktor stabiliteti

Politikë | 3 vite më parë

Presidenti Bajram Begaj ka zhvilluar ditën e sotme (21 shtator) një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Nëpërmjet një njoftimi, Presidenca bën me dije se në nisje të takimit, Begaj përgëzoi Sekretarin e Përgjithshëm për përkushtimin dhe vizionin e treguar në drejtimin e OKB-së. Angazhimi i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, për Presidentin Begaj është konfirmim i rolit të Shqipërisë si faktor stabiliteti.

“Kreu i Shtetit nënvizoi kontributin e dhënë nga Shqipëria në dy vitet e fundit, për paqen dhe sigurinë, si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Sipas Presidentit Begaj, angazhimi i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, është konfirmim i rolit të Shqipërisë si faktor stabiliteti jo vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe më gjerë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Kreu i shtetit shqiptar ka garantuar Guterres për angazhimin maksimal të Shqipërisë në Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së.

“Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm kanë qenë në fokus të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 78-të të Asamblesë së OKB-së, ndaj në këtë drejtim Presidenti Begaj i shprehu Sekretarit të Përgjithshëm angazhimin maksimal të Shqipërisë në zbatimin e OZHQ-ve dhe Axhendës 2030”, njofton Presidenca.

Ndalur te zhvillimet në rajonin e Ballkanit perëndimor, Begaj thekson edhe njëherë mbështetjen e Shqipërisë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga  BE dhe mbështetur nga SHBA.

“Presidenti Begaj u ndal edhe te zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kreu i Shtetit nënvizoi se Shqipëria mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropain dhe mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, që do të mundësonte të dyja vendet si dhe të gjithë rajonin, të vazhdonin me sukses rrugëtimin e tyre integrues në BE.

Në tërësi, Ballkani Perëndimor po kalon një periudhë tejet dinamike, ndaj Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin e saj në forcimin e bashkëpunimit mes shteteve, në funksion të stabilitetit dhe përparimit të tyre”, përfundon njoftimi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme