“Beleri”/ Xhaçka i përgjigjet homologut grek: S’është çështje e qeverive tona! Drejtësia ka folur qartë!

Politikë | 3 vite më parë

Ministrja e Jashtme shqiptare, Olta Xhaçka, ka deklaruar se mbajtja e Fredi Belerit në burg nuk është çështje e politikës, por e gjykatës.

Deklaratën e saj zonja Xhaçka e bëri të enjten në rrjetin social X, duke iu përgjigjur homologut grek, Giorgos Gerapetritis, i cili tha se mbajtja e Belerit në burg bëhet për arsye politike, jo gjyqësore. 

“Nuk ka mundësi që miqtë & fqinjët tanë grekë të jenë të vetmit që kanë të drejtë kur këmbëngulin në një kërkesë të rrëzuar nga gjykatat shqiptare dhe të qartë për miqtë e partnerët e tjerë, të cilët thonë se kjo është një çështje e drejtësisë shqiptare!” shkruan zonja Xhaçka.

“Organet e reja të drejtësisë shqiptare kanë folur qartë me vendimet e tyre dhe qeveria shqiptare ka folur qartë po ashtu: Çështja e betimit të kryebashkiakut të ndaluar nga drejtësia është çështje e drejtësisë, jo e qeverisë shqiptare, as e qeverisë greke,” shkruan ministrja e jashtme.

“Homologut tim grek, për të cilin kam shumë respekt, i kam thënë se për këtë çështje nuk duhet të niset nga ligji grek, por nga ligji shqiptar. Dhe sipas ligjit shqiptar s’ka vullnet politik që e nxjerr zotin Beleri nga burgu apo që fut noterë në burg që ai të bëjë betimin si kryebashkiak. Më vjen keq, po kjo është kështu dhe vetëm kështu,” përfundon ministrja e jashtme shqiptare Olta Xhaçka.

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme