Belind Këlliçi: Humbja e zgjedhjeve, përçarja faktor. Pa bashkim, nuk e mundim Edi Ramën

Ish kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, është më i hapur se shumë të tjerë në PD-në e rithemeluar për të pranuar se humbja ishte edhe rezultat i konfliktit të brendshëm në PD.
Në një intervistë për emisionin “Pa Censurë”, në RTSH, zoti Këlliçi renditi arsyet pse gara e Tiranës ishte e pabarabartë, që nga financat, logo, përdorimi i paligjshëm i pushtetit nga kundërshtari, minutazhi 8 herë më pak në disa media, mungesa e komisionerëve, numëruesve.
Por, ndryshe nga linja zyrtare, ai nuk anashkalon edhe përgjegjësinë nga brenda vetë opozitës.
“Nuk e prisja këtë rezultat. Kam pritur një reagim më të madh të qytetarëve, edhe pse kam qenë i vetëdijshëm që kam hyrë në një garë të pabarabartë. Por, patjetër që PD ka patur problemet e saj, prandaj nuk u krijua ajo valë qytetarësh që unë do të kisha dëshiruar, që të kishin dalë 60-70% që të mundnim këtë makineri. Pra, mospjesëmarrja në zgjedhje nuk ka qënë vetëm për shkak të shantazhit, shitblerjes së votës, por ka qenë edhe një pjesë e tyre të bindur që nuk do të fitonim dot për shkak të situatës sonë.“- u shpreh Belind Këlliçi gjatë intervistës në RTSH.
E vetmja zgjidhje që ai sheh për situatën tani është dhënia fund e përçarjes.
“Pa u ulur të gjithë, pa vënë gishtin në plagë, pa gjetur menyrën sesi të bashkojmë çdo faktor, si të krijojmë një lëvizje sa më të madhe të së djathtës, ku të bëhen pjesë të gjithë faktorët opozitarë për të rrëzuar Edi Ramën, ne nuk do të kemi sukses. Për këtë jam i bindur.”- tha Belind Këlliçi në emisionin “Pa Censurë”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




