Belind Këlliçi zyrtarizon kandidaturën në Primare: Tirana ka nevojë dramatike për ndryshim

Politikë | 4 vite më parë

Deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, ka zyrtarizuar kandidaturën e tij në primare, për të garuar për kreun e Bashkisë së Tiranës, në zgjedhjet vendore të 14 majit. Në një dalje për media nga selia blu, Këlliçi argumentoi nevojën për ndryshim të kryeqytetit pasi sipas tij është shfrytëzuar nga kryebashkiaku aktual Erion Veliaj. Për Këlliçin, Tirana sot është më e shtrenjtë, më kaotike, më e ndotur, pa transport alternativ dhe hapësira për parkim dhe gjelbërim ndaj për ndryshim dhe kjo formë qeverisëse të bjerë.

“Është koha që qytetarët të ndihen pjesë e asaj që ndodh, të kenë në dorë të ndikojnë për jetën e tyre, e jo të jenë një instrument në duart e kryetarit, në kalkulimet personale politike të tij”, thekson në deklaratë Këlliçi.

“Kam vendosur të kandidoj në këto primare të Partisë Demokratike, të parat për forcën tonë dhe për politikën në Shqipëri, prej të cilave, me votën e anëtarësisë dhe simpatizantëve, do të zyrtarizohen kandidatët e Opozitës së Bashkuar për bashkitë e vendit. 

Ky vendim u arrit për disa arsye, të cilat dëshiroj t’i ndaj me ju:  Së pari, Tirana ka nevojë dramatike për ndryshim. 

Unë besoj se Bashkia Tiranë është shfrytëzuar për shumë vite nga Erion Veliaj, për pasurim të jashtëligjshëm me taksat e qytetarëve, gjobat, tenderat, lejet për ndërtim dhe inceneratorin. Veliaj e ka shfrytëzuar detyrën e kryebashkiakut të Tiranës për të blerë mbështetje politike brenda Partisë Socialiste. Në dy mandate, ai ia ka dalë që, me anë të propagandës dhe kontrollit të medias, të na imponojë një pamje false të qytetit. Me instalimin e modelit “puna dicka, dukja gjithcka”, Veliaj e ka dëmtuar rëndë qytetin. Tirana mund të rregullohet, dhe bashkia mund të shërbejë, edhe pa vjedhur. Ky është një model për të cilin qytetarët dhe politikanët, duhet më në fund të ndërgjegjësohen.

Tirana sot nuk ngjason me asnjë kryeqytet në Bashkimin Europian dhe as vendet fqinje. Ajo bëhet çdo ditë e më shumë e pajetueshme: më e shtrenjtë, më kaotike, më e ndotur, pa transport alternativ dhe hapësira për parkim dhe gjelbërim. Në 8 vite, Tirana humbi trashëgiminë e saj historike qindravjeçare, për shkak të miliona metrave katrorë leje-ndërtimi, që Erion Veliaj dha babëzisht, pa kriter, vetëm për interesin e tij personal dhe të mafias së betonit, që është sot paradhoma dhe vendimarrja okulte e punëve publike të Bashkisë.

Veliaj kërkon ta shfrytëzojë sërish këtë pushtet të madh, atij i duhet bashkia për një mandat të tretë, që të ketë rastin që këtë abuzim, këtë model, këtë përvojë të përfitimit e vjedhjes, ta rrisë edhe më shumë. Ky model, të dashur miq, duhet të bjerë”, tha Këlliçi.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme