Berger: Hamilton te Ferrari

Formula 1 | 4 vite më parë

Situata kontraktuale e Lewis Hamilton është gjithmonë një nga temat e nxehta në Formula 1. A do të qëndrojë ai te Mercedes apo jo? Vitet e fundit, partneriteti me kompaninë e Shtutgartit nuk është vënë kurrë në pikëpyetje, me 6 tituj botërorë dhe një miqësi të ngushtë me drejtorin e ekipit Toto Wolff. Në fund të vitit 2021, titulli u diskutua deri në fund me Max Verstappen, i cili u pasua nga një 2022 me vuajtje për shkak të mungesës së konkurrencës së Mercedesit të tij. Vitin e kaluar Hamilton përjetoi sezonin e tij të parë pa fituar asnjë garë të vetme: që nga 2007 kur ai filloi të garonte për herë të parë. Këtë vit trendi nuk ka ndryshuar dhe vetë Wolff pranoi se mos dhënia e Hamiltonit një makinë konkurruese mund të ketë pasoja në diskutimet e vazhdueshme kontraktuale.

E në këto kushte Gerhard Berger, ish-pilot i Ferrarit, i ka sugjeruar kampionit britanik një ide: “Nëse Lewis nuk mund të marrë një makinë konkurruese te Mercedesi dhe nëse dyert e Red Bull janë të mbyllura, pse të mos provojë Ferrarin. Ndoshta do të zgjidhte edhe problemet që kanë në Maranello. Për më tepër lidhja që ka një pilot me një ekip nuk do të thotë asgjë, askush nuk i zbulon kartat e veta”. Berger shpjegoi më tej se: “Të gjithë pilotët duan të ngasin një Ferrari të paktën një herë në jetën e tyre. Pothuajse të gjithë pilotët më të mirë në histori kanë qenë atje në një kohë ose në një tjetër. Ayrton Senna nuk shkoi sepse e dinte që nuk mund të fitonte. Ndoshta e njëjta gjë mund të ndodhë edhe me Lewis, nuk i dihet”.

Përsa i përket situatës aktuale të kampionatit, Berger nuk sheh shumë shanse për kundërshtarët e Max Verstappen. “Do të ishte mirë për tifozët nëse Perez dhe Max mund të përsërisin një duel si Senna dhe Prost. Por dyshoj, Verstappen është shumë i fortë” – ka thënë Berger. B.K.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme