Bëri operacion në QSUT, Veliaj: Kemi mjekë e infermierë plot dinjitet e profesionalizëm

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka falënderuar mjekët dhe ekipin e infermierëve që u kujdes për të gjatë shtrimit në QSUT ku hoqi gurët dhe një pjesë të tëmthit.
Duke falënderuar angazhimin e tyre dhe njerëzillëkun e treguar me pacientët, Veliaj thotë se në QSUT është ngritur një ekip pune që nga infermierët deri tek mjekët që nga shërbimi dhe cilësia ia kalon edhe privatit.
Veliaj tha se në vend kemi mjekë me dinjitet dhe profesionalizëm, puna e të cilëve duhet vlerësuar nga të gjithë.
“Si shumë prej nesh, që i japin mend botës dhe neglizhojnë veten, kisha neglizhuar prej kohësh një problem me gurët në tëmth, deri kur situata po bëhej akute dhe u desh ndërhyrja kirurgjikale në QSUT, këtë fundjavë Pashke.
Por, teksa humba 2 gurë bashkë me tëmthin, fitova dy shokë për jetë, kirurgun e super talentuar Endri Shehu dhe reanimatorin ekselent, Ernest Caka, djem të rinj e të papërtuar, rritur me halle, e që ia kanë dalë vetë në çdo hap të karrierës.
Unë isha vetëm një nga 8 operacionet që ata kryen atë ditë, duke ruajtur njerëzillëkun e mirësinë tek secili prej nesh, nga ora 8 e mëngjesit deri në mesnatë!
Por, nuk ka dishepuj të mirë pa mentorë të zotë si Prof. Arben Gjata dhe Prof. Krenar Lilaj, që kanë rritur një fidanishte mjekësh të rinj e të talentuar, me durim e mendje të hapur. Kujdesin e tyre ndaj meje dhe pacientëve të tjerë, këtë fundjavë, e përjetova plot mirënjohje dhe admirim.
Dhe qershia mbi tortë: një skuadër post operatore infermierësh, e drejtuar nga e papërtuara Aida Hajro, me djem e vajza të marrë me rezultate të shkëlqyera nga portali, më mbushi me shpresë sesi një reformë aq e debatuar ia ka dalë të prodhojë një dream-team, që ia kalon privatit, si në cilësinë e shërbimit edhe në kushtet e spitalit.
Shumë kurajo Ministres Albana Koçiu dhe Dr. Alma Canit, që po vazhdojnë me guxim dhe fokus punën e mbarë të nisur nga Ogerta Manastirliu dhe Albana Fico, për ta kthyer QSUT në histori mbresëlënëse transformimi.
Ky vend ka kaq talent, mirësi, dashuri e mençuri, sa shpesh i çmojmë vetëm në fatkeqësi si tërmeti, pandemia apo sfidat personale. Ka policë, ushtarakë, zjarrfikës, mësues, mjekë e infermierë plot dinjitet e profesionalizëm, për t’i pasur zili e gjithë bota. Ndaj, lipset nga secili prej nesh ta inkurajojmë të mirën, të bukurën e talentin, çdo ditë!
Ky ishte përjetimi i kësaj Pashke nga unë, Ajola dhe Kajan, me lutjet për më shumë dashuri, shëndet e mbarësi për gjithë familjet tuaja e vendin tonë të bekuar! Përulësisht mirënjohje për gjithë mesazhet tuaja dhe bekime pafund!”, shkruan Veliaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



