Berisha akuza ish-ministrit të tij: Ilir Rusmali, kriminel. Rrëmbeu mandatin e Belshit, me urdhër të Ramës

Ish-kryeministri Berisha ka hedhur akuza të rënda ndaj ish-ministrit të tij të Drejtësisë Ilir Rusmali se është përdorur nga kryeministri Edi Rama për të ‘rrëmbyer’ mandatin e bashkisë së Belshit në zgjedhjet e fundit vendore të 14 majit.
Sipas Berishës, Ilir Rusmali i cili bën pjesë në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve në KQZ, 40 votat për bashkinë e Belshit i ka shpallur të pavlefshme duke i “rrëmbyer” mandatin Bedri Qypit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
“I njëjti skenar është përdorur nga krimineli elektoral Ilir Rusmali me urdhër të Edi Ramës, i cili ëndërron të bëhet Avokat Populli, është vepruar me Dumrenë. 40 vota, të gjitha në çdo kriter ligjor të pavlefshme, janë shpallur të pavlefshme nga krimineli elektoral Ilir Rusmali me urdhër të Edi Ramës, për t’i rrëmbyer mandatin Bedri Qypit.
Ndërkohë 16 vota janë shpallur të pavlefshme pasi iu ishte vendosur vetëm një votë, kurse vota ku shkruhej me laps të kuq dhe bëheshin shënime, ato ishin për kriminelin elektoral Ilir Rusmali dhe Edi Ramën, të vlefshme”, ka deklaruar Berisha.
Berisha tha se grupi i tij politik do të ndjekë çdo procedurë ligjore, përfshi Strasburgun. Ndërsa paralajmëroi edhe protesta.
“Kjo ka vetëm një rrugë, protesta dhe vetëm protesta. Përballë kemi një armik të egër të lirisë së shqiptarëve, i cili pasi shpalli Kodin Zgjedhor një kinezëri, ndërmori çdo hap për të rrëmbyer votën e shqiptarve.
Ndaj dhe ne, duhet me këtë situatë të ndërmarrim një dialog të fuqishëm mediatik dhe direkt, në mënyrë që të ngremë në këmbë lëvizjen e fuqishme që presin shqiptarët nga ne”, ka deklaruar Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




