Berisha akuzon Manjën: Dekonspirove SPAK, i tregove Dakos që do të arrestohej

Sali Berisha ka akuzuar ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja se ka informuar ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako se do të arrestohej me urdhër të SPAK.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetimet për nxjerrje të sekretit hetimor për dosjen e Vangjush Dakos, por sipas Berishës ishte ministri Manja ai që ka nxjerrë sekretin hetimor.
‘Prit se do të kthehem edhe ty tani. Se ti vendin e ke te Gjushi. Se je ti që njoftove Gjushin katër ditë përpara, dhe dekonspirove dhe tani i thonë SKAP-it, kush ta nxori sekretin? Ulsi Manja e nxori sekretin. Se ky është njeriu i pazareve të Edi Ramës. Ky merr përsipër të gjitha pazaret. Kush ia tha Gjushit? Ti ia the. I gjithë Durrësi flet për ty, ke nxjerrë sekretin. Se je ti një lloj Jagoje, që ke vetëm veten shok, dhe mos më ndërpri të lutem shumë. Ky është komisioneri i shitjes së të dhënave, figura zyrtare më qesharake e planetit, që pretendon se ka një ligj dhe zbaton një ligj dhe që ligji, jo një dy, por i thyhet 1 milion herë, dhe ligji shkelmohet për të ndihmuar së pari armiqtë e Shqipërisë, duke nxjerrë në shesh të gjithë organigramën dhe të dhënat e Shërbimit Informativ Kombëtar.’- u shpreh Berisha.
Berisha njëherësh bëri të ditur se ndaj Manjës po përgatitet një dosje ndërkombëtare për krime elektorale si dhe hodhi sërish akuza se zgjedhjet janë manipuluar duke përdorur të dhënat e mbledhura nga patronazhistët.
Ndërsa ministri Manja tha se është i lumtur për frytet e reformës në drejtësi dhe se me Berishën do të përballet para drejtësisë.
Gazetare: Megi Mëhilli
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




