Berisha: Dënimi i Belerit u bë si në kohërat e Sigurimit të Shtetit

Politikë | 3 vite më parë

Sali Berisha, nga arresti në shtëpi”, ka reaguar, lidhur me dënimin e Fredi Belerit ditën e martë me 2 vite burg për korrupsion në zgjedhje. Sipas Berishës, dënimi është dhënë pa asnjë shkak apo faj dhe i bazuar në një dosje të stisur si në kohërat e sigurimit të shtetit.

Berisha u shpreh ndër të tjera përpara mbështetësve të tij, se çështja “Beleri” nuk është një çështje mes Shqipërisë dhe Greqisë, por para së gjithash është një çështje e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve.

“Çdo orë, ditë që kalon dëshmon se sa jetike, vendimtare është për fatin, për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve, beteja pa kthim për përmbysjen e regjimit, e narko regjimit të bazuar në aleancën e pushtetit me organizatat kriminale, me korrupsionin dhe vjedhjen e shqiptarëve, me drogën.
Çdo ditë regjimi tregon fytyrën e tij të shëmtuar. Nuk ndalet në krimet e tij nga asgjë. Sot ai dëshmoi para shqiptarëve me dënimin e kryetarit të zgjedhur me votën e qytetarëve të Himarës, Fredi Belerit, me dënimin pa asnjë shkak, pa asnjë faj, me dënimin mbi bazën e një dosje të stisur si në kohërat më të zeza të sigurimit të shtetit. Me dënimin e tij, Edi Rama, miqtë e mi, ju faktoi shqiptarëve se pavarësisht se si ju do të votoni, kurrë nuk do të keni atë që doni me votën tuaj. Ky përbën një akt flagrant të këtij armiku të egër të votës së lirë të shqiptarëve.”, tha Berisha.

Sipas tij, të dënosh me një proces farsë, një qeveritar të zgjedhur vendor, do të thotë se nuk pranon vullnetin e qytetarëve se dhe drejtësinë e ke shndërruar në një vegël të verbër të pushetit të krimit.

“Çështja Beleri nuk është një çështje mes Shqipërisë dhe Greqisë, por para së gjithash është një çështje e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve. Është një çështje para së gjithash e të drejtave dhe lirive universale të qytetarëve të lirë të një vendi.”, tha Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme