“Ta sjellim prapë kombin në rininë e tij”, Berisha në Korçë: Jemi 4 ditë larg nga ndarja e epokave

Zgjedhje 2025 | 1 vit më parë

Kreu i PD-së Sali Berisha gjatë takimit përmbyllës sot në Korçë në kuadër të zgjedhjeve parlamentare theksoi se më 11 maj, ndahen dy epoka.

Sipas tij, Shqipëria përjetoi një aksident këto 12 vite me narko-diktaturën.

“4 ditë na ndajnë nga një ditë e cila në të vërtetë për ne shqiptarë ndan dy epoka: ndan epokën në të cilën ne, një populli vuajtur në diktaturën më staliniste, në rrugën tonë të lirisë, patëm një aksident si asnjë komb tjetër. Përjetuam 12 vite narkoditaturë. Përjetuam në 12 vite vendosjen e një regjimi, i cili bëri gjithçka për të shtypur në Korçë dhe në Shqipëri pluralizmin.”

Gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi se, “çdo korçar i mençur do të gjejë se Korça nga një vend  shprese, nga një qytet i mrekullueshëm, i famshëm për dhuntitë e veta, kulturën, artdashjen, shpirtin punëtor, pastërtinë. Fermerët e Korçës burra dhe gra ndër më eficientët në 12 vite u larguan nga Korça, Erseka, Pogradeci si kurrë në historinë e tyre. U larguan jo se nuk donin Korçën, Pogradecin apo Devollin. Me pasuritë e kësaj treve, me liqejtë mahnitës, me fermerët më të zotë, me intelektualët më të shquar, me artistët, këngëtarët, elitën e saj, Korça është vetëm për t’u admiruar. Ata u larguan se nga viti në vit rënia ekonomike u bë e madhe. Çmimet u rritën, vendet e punës u mbyllën.”

Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve të Korçës, Pogradecit, Devollit dhe Kolonjës që më 11 maj të bashkohen për një kthesë vendimtare. Ai kërkoi 100 ditë për të nisur transformimin e vendit dhe listoi një sërë premtimesh konkrete që synojnë përmirësimin e standardit të jetesës. Këto përfshijnë rritjen e pensionit minimal në 200 euro dhe të pagës minimale në 500 euro, uljen e çmimit të energjisë, naftës dhe ujit, si dhe garantimin e ilaçeve cilësore në farmacitë dhe spitalet publike sipas standardeve të BE-së, deklaroi Berisha.

Berisha tha që vëmendja kryesore do të jetë tek të rinjtë, ku në fokus është arsimi.

“Do ta bëjmë arsimin e mesëm të detyrueshëm”, tha Berisha.

“Një tjetër kemi më të vështirë, një mision tjetër kemi, një objektiv tjetër kemi, për të cilin ne do të bëjmë çdo sakrificë dhe kjo është, t’i japim kombit moshën e rinisë. Ta sjellim prapë kombin në rininë e tij. Dhe unë u garantoj ju, dhe çdo të ri, çdo fëmijë, në Korçë dhe në Shqipëri, se kjo do të jetë përparësia më absolute. Kjo është Leva e Arkimedit për të shpëtuar kombin shqiptar. Ndaj dhe ne, për të sjellë kombin në moshën e rinisë do ta nisim tek lindje.“

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme