Berisha në Kurbin kërkon mbështetje për PD në zgjedhjet lokale

Kreu i grupimit Rithemelimi në PD Sali Berisha, vazhdon t’u bëjë thirrje zgjedhësve shqiptarë që në votimet për pushtetin lokal më 14 maj të mbështesin kandidatët e PD. “E keni mbështetur PD-në në kohëra të vështira, jeni forcë dhe energjia e sukseseve” ju drejtua ai demokratëve të shtunën në Kurbin.
Ai paraqiti para tyre si kandidat për qytetar të parë të Bashkisë së Kurbinit Behar Haxhiajn. “Njeriun që qeverisi si një shërbëtor i bindur, i përkushtuar, i qytetarëve që e votuan atë. Njeriun që vuri të gjithë energjinë e tij për të zgjidhur, problemet, hallet e komunës dhe qytetarëve të saj” tha zoti Berisha.
Për zotin Berisha kandidatët e tjerë “Janë që të gjithë klonime të Edi Ramës dhe nuk kanë asnjë lidhje, as me bazën e PS-së dhe as me PS-në”
Ai e akuzoi kryeministrin socialist Edi Rama se e ka çuar vendin në një rrokullisje të jashtëzakoshme, një shkretëtim që nuk e ka njohur kurrë në historinë e saj.
Zoti Berisha ju referua periudhës kur PD ishte në pushtet. “Në vitin 2013, ne arritëm në një arritje të jetës sonë, sepse ne kemi qenë më të varfrit, por në vitin 2013 ne e dorëzuam pushtetin kur shqiptarët kishin rrogat më të larta në rajon, më të larta edhe se bullgarët dhe rumunët që ishin në BE”, tha ai.
Për kreun e Rithemelimit “Në këto 8 vite, jo që nuk u rritën rrogat, por këto 8 vite, secili rrogëtar në Shqipëri me rrogën që merr sot, blen 30 % më pak se sa blinte në vitin 2013”.
Zoti Berisha tha se “Edi Rama nga viti 2013 e gjer në këto muaj ka marrë borxh 5 miliardë euro” të cilat sipas tij janë vjedhur në mënyrën më të paimagjinueshme.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




