Berisha në Tepelenë e Gjirokastër: Jemi në monizëm si 32 vite më parë! Forca jonë do e dërrmojë këtë regjim!

Kreu i PD nga procesi i Rithemelit Sali Berisha, ka shprehur shqetësimin dhe keqardhjen e tij, se pas 32 vitesh demorkaci, Shqipëria gjendet sërish në një monizëm të plotë, ndërsa ka bërë thirrje për bashkim për të ecur të sigurtë si dikur drejt fitores ndaj regjimit.
Zoti Berisha i bëri deklaratat e tij në takimet me anëtarë e simpatizantë të PD gjatë një turi që ka ndërmarrë në jug të Shqipërisë, duke ndaluar në Tepelenë dhe në Gjirokastër, për të përkujtuar edhe krijimin e degëve të PD.
Duke ju referuar krijimit të PD më shumë se tre dekada më parë , zoti Berisha vlerësoi se “Revolucioni i vitit 1990 solli në skenë forcën politike që do mbronte interesin kombëtar, që do i dilte zot çështjes shqiptare. Sot, pas 32 vitesh, Shqipëria është vite drite larg nga ajo periudhë në shumë aspekte” shprehu keqardhjen ai.
Ish presidenti dhe ish kryeministri i vendit për një kohë të gjatë, zoti Berisha evokoi kohën kur në pushtet ishte PD. “Sot Shqipëria, falë atij revolucioni është anëtare e NATO-s, tani ka hapur negociatat, shqiptarët lëvizin lirshëm në hapësirën e Shengenit” tha ai.
Duke ju referuar kundështarëve të tij, socialistëve në pushtet, zoti Berisha tha se “Nëse monizmi i 32 viteve më parë bazohej në një doktrinë çnjerëzore të marksizëm-leninizmit, sot ky monizëm nuk është i bazuar më këtë doktrinë. Ky monizëm është i bazuar në krimin, i cili në disa aspekte tejkalon çdo lloj standardi, është i bazuar në drogën, që në pamje të parë duket sikur sjell dobira, por paraja e drogës është toksike. Asnjë vend nuk është zhvilluar nga krimi dhe droga!” tha kreu i PD.
Ai ju referua veçanërisht Tiranës si vendi me treguesin më të lartë të ndërtimeve në Europë, shenjë kjo sipas Berishës i ekonomisë jo të krijuar nga qytetarët, por narko-eurove. “Ky monizëm i dytë ka pasur pasoja katastrofale për vendin” tha ai.
Sërish duke kujtuar ndryshimet kur në pushtet ishte PD, e cila tashmë synon rikthimin pas afro 12 vitesh në opozitë, zoti Berisha tha se “Ai revolucion përmbysi një rend shoqëror, ndër më tragjikët në historinë e njerëzimit, ndër më çnjerëzor dhe më barbarët në historinë e Shqipërisë”. “Ndaj dhe ne jemi sot në këmbë, jemi përsëri në një revolucion, në një besë me njëri-tjetrin se do të ecim të sigurtë drejt fitores tonë” tha kreu i PD Sali Berisha.
Këto deklarata duket se paralajmërojnë ndryshime të thella në rast se opozita fiton. Por zgjedhjet lokale të 14 majit duket se do të jenë testi kryesor për demokratët dhe aleatët e tyre.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




