Berisha “non grata” nga SHBA dhe Britania, Spiropali: Nesër edhe gjetkë! Kreu i PD: Jeni të hetuar

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka paralajmëruar nga foltorja e Kuvendit një tjetër “non grata” për Kreun e PD të Rithemelimit Sali Berisha.
Teksa iu kundërpërgjigj akuzave të opozitës kundrejt Kryeministrit Edi Rama, Spiropali deklaroi se një prej akuzatorëve kryesorë të kreut të qeverisë është i shpallur “non grata” nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar, e me gjasë, siç theksoi ajo, “nesër edhe gjetkë”
“Kryeministri është aktor dhe faktor në diplomacinë ndërkombëtare, një nga akuzatorët e tij është non grata në dy anët e atlantikut dhe me gjasë nesër edhe gjetkë”, tha Spiropali. Më tej, Ministrja u shpreh se Kryeministri Rama, ashtu sikurse e ka pohuar edhe vetë, ka zhvilluar takime formale dhe informale me ish-agjentin e FBI Charles McGonigal, por siç tha ajo, nuk mund të lidhet prania e Gonigal në Tiranë me trafikun e Laprakës.
“Këto dosje janë çështje të Amerikës dhe nuk kanë mbetur t’ua qani hallin ju këtu në Shqipëri. Rama ka patur disa takime me ish-drejtuesin e FBI dhe janë formale dhe informale. Duan të bëjnë sikur iu ka rënë lotaria amerikane, se ju erdhi prova dhe fakti që shpjegon pse janë humbës serialë. Janë të papranueshëm nga shqiptarët dhe non grata nga anglo-amerikanët. I kanë larë duart me shqiptarët që nuk i besojnë dhe votojnë. Vetëm një fantazi e dëshpëruar lidh oligarkët rus dhe luleshtrydhet e Divjakës. Praninë e Gonigal në Tiranë me trafikun në Laprakë. Ambasadoren me citatet e hoxhës”, tha Spiropali.
Më herët, kreu i PD së Rithemelimit, Sali Berisha akuzoi Kryeministrin Rama, këshilltarët e tij dhe disa nga ministrat për lidhjen e tyre me Gonigal për të destabilizuar vendin dhe eleminuar opozitën.
“Dua t’i informoj se 2 dokumente zyrtare të autoriteteve të drejtësisë së SHBA, njëri si publikim daton në shtatorin e 2022. Ai është vendim gjykate për të hetuar çdo gjë rreth Ramës. Për të hetuar çdo telefonatë, sms, email, që ai ka patur me cilindo në botë. Por ky urdhër, ju përfshin të gjithëve ju: të hetohen gjithë ministrat e qeverisë dhe çdo njeri tjetër. Jeni të gjithë të hetuar”, tha Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




