Berisha: PD do depozitojë ligjin për dyfishimin e rrogave të ulëta. Aktivisti, aplikacion i dënueshëm

Politikë | 4 vite më parë

Ish-kryeministri Sali Berisha u ka bërë sot (20 mars) thirrje punonjësve të administratës shtetërore që të mos bëhen pjesë e përdorimit të aplikacionit Aktivisti, që sipas tj, përdoret nga qeveria për qëllim të mbështetjes së pushtetit të krimit.

Për Berishën, Aktivisti, është një aplikacion i dënueshëm në ligjin kombëtar dhe atë ndërkombëtar.

“Jam sot para jush për t’u bërë thirrje të gjithë punonjësve të administratës, të mos bëhen pjesë e mega-krimti elektoral të përdorimit të Aktivistit për qëllime të mbështetjes së pushtetit të krimit. Aktivisti është një aplikacion i dënueshëm në ligjin kombëtar dhe ndërkombëtar. Ai është i dënueshëm në ligjin kombëtar, sepse është dëshmi flagrante e shndërrimit të narkoshtetit të Edi Ramës në një narkoshtet elektoral. Pra, shndërrimin në një makineri të dhunimit masiv të votës nëpërmjet ndikimeve të paligjshme.

Ai është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar sepse shkel rregullat themelore të rrjeteve sociale, sepse po përdoret si një mjet terrori mbi qytetarët shqiptarë, mbi zgjedhësit shqiptarë”, tha Berisha. Ai bëri me dije se PD do të ndërmarrë të gjithë hapat ligjore ndaj asaj të cilin ai e konsideron instrumenti terrori.

Më tej, Berisha premtoi se PD e Rithemelimit, do depozitojë ligjin për dyfishimin e rrogave të ulëta. Ky ligj, sipas Berishës, do jetë i detyrueshëm për çdo institucion dhe sipërmarrje.

“Garantoj qytetarët se jo dyfishimi i rrogave, por trefishimi do jetë objektiv numër një i qeverisjes së PD. Por rritjet e rrogave, në asnjë vend të lirë, nuk bëhen para zgjedhjeve, para votimit të qytetarëve.

Ai që bën një akt të turpshëm është një kriminel elektoral, një bandit i vërtetë, një mashtrues ordiner. Pagat e ulëta duhet të dyfishohen dhe ne i garantojmë të gjithë punonjësit që pagat në të gjithë piramidën shtetërore do dyfishohen.

PD do depozitojë në parlament ligjin për dyfishimin e rrogave të ulëta si akt i parë. Ky ligj do jetë i detyrueshëm për çdo institucion të këtij vendi, për çdo sipërmarrje të këtij vendi”, premtoi Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme