Berisha për vendimin e Hagës: Tërësisht i pamerituar, shpresojmë që Apeli të bëjë drejtësi

Kosovë | 4 ditë më parë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Berisha e cilësoi vendimin e shkallës së parë si “tërësisht të pamerituar”, ndërsa shprehu mbështetjen e tij për familjarët e ish-udhëheqësve politikë të Kosovës.

Sipas kreut të PD-së, trupi gjykues nuk arriti të provojë akuza konkrete, duke e lidhur këtë, sipas tij, me deklarata që janë përsëritur ndër vite nga ajo që ai e cilësoi si “propaganda e Beogradit”.

Gjykata e shkallës së parë në Hagë komunikoi vendime me të cilat në mënyrë absolute nuk arriti të substanciojë asgjë konkrete përveç deklaratave të përgjithshme që janë përsëritur me dhjetëra dhe qindra herë nga propaganda e Beogradit’, deklaroi Berisha. Sipas lideri të demokratëve, ai vendim nuk mund të zbehë luftën e UÇK-së. ‘Asgjë nuk mund të errësojë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës që ata udhëhoqën si faqen më të ndritur të luftërave të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar pas luftërave të Skënderbeut”, u shpreh kreu i PD-së.

Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës Sali Berisha shprehu shpresën se Gjykata e Apelit do të ndryshojë qasjen dhe “do të bëjë drejtësi”.

Ndaj dhe le të shprehim ne shpresën, besimin se gjykata e apelit, se apeli do të bëjë drejtësi, do të shkëputet nga propaganda serbe”, deklaroi Berisha.

Ai bëri gjithashtu thirrje për vetëpërmbajtje në Kosovë, duke theksuar se vendimi i gjykatës nuk duhet të çojë në përplasje apo destabilizim.

Thirrja jonë është për vetëpërmbajtje dhe nuk duhet në asnjë mënyrë që emocionet të ndikojnë në rendin, qetësinë, stabilitetin e Kosovës”, tha Berisha.

Sipas aktgjykimit të shpallur sot, Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, Krasniqi me 25 vjet, Veseli me 18 vjet dhe Selimi me 13 vjet burgim.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme