Berisha prezanton kandidatin për Fierin: Taksat e ulëta, gjenerator për krijimin e vendeve të reja të punës

Ish-kryeministri Sali Berisha, prezantoi këtë të shtunë, kandidatin për kryetar bashkie në Fier, Evdar Kodheli, të koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”. Në fjalën e tij, Berisha tha se kandidatët e tij do të jenë të përkushuar dhe në shërbim të qytetarëve.
“Këtu në Fier dhe kudo që kam shkuar, anëtarët e anëtaret e PD-së, me shumë të drejtë, kërkuan një vit e gjysëm më parë që të ishin ata që të përzgjidhnin, që të votonin kryetarin e partisë, kandidatin për kryetar bashkie, kandidatët për deputetë dhe një zotim i marrë solemnisht para jush, sot është realitet. Të gjithë këta janë nuse dhe dhëndurë të lirisë, janë njerëzit e besimit tuaj.
Me këtë proces, ne kemi përmbysur një praktikë dhe kemi vendosur lirinë, dinjitetin tuaj në themel, të përfaqësimit. Sot këta kandidatë, detyrohen ndaj jush dhe unë kam bindjen se nesër në detyrën e qytetarit të parë të bashkisë, do të jenë shërbëtorë të përulur para jush të përkushtuar dhe do të jenë menaxherë të aftë dhe jam i sigurtë se do të ndryshojnë për mbarë qytetet ku ata do të zgjidhen, tha Berisha.
Berisha vuri theksin tek taksat e ulëta, ku sipas tij janë gjenerator i fuqishëm për krijimin e vendeve të reja të punës.
“Taksat e ulëta janë një kusht themelor i suksesit të biznesit. Taksat e ulëta janë një kusht themelor, i dy dhe trefishimit të bizneseve në qytete. Taksat e ulëta janë një gjenerator i fuqishëm i krijimit të vendeve të punës. Por, po kështu kryetari i ardhshëm i bashkisë, në zbatim të programit të PD, do të ketë një interes madhor për fermerët në të 4 anët e këtij qarku”, tha Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




