Berisha: Rama, me regjimin e tij, në 8 vite rrokullisi shqiptarët në njerëzit më të keqpaguar në rajon

Sali Berisha, gjatë fjalës së tij nga banesa ku ndodhet në ‘arrest shtëpie’, u deklaroi mbështetësve të tij se janë duke luftuar me “një pushtim të brendshëm barbar”.
Ai i ka cilësuar mbështetësit e tij si misionarë të vërtetë, që qëndrojnë të pamposhtur, të vendosur, të sigurt në misionin e tyre, në fitoren e opozitës shqiptare dhe të Shqipërisë.
Sipas Berishës, shqiptarët kudo që janë, nderojnë me adhurimin më të madh, prijësin e tyre të të përjetshëm, Skënderbeun në lindjes së përjetësisë së tij.
“Skënderbeu i doli zot Shqipërisë dhe kombit në një kohë kur rajoni dhe Europa dridhej para fuqisë së perandorisë otomane. Ky shqiptar, ky atdhetar, ky princ i lirisë, besoi tek shqiptarët, besoi tek trimëria dhe guximi i tyre, besoi te forca dhe fuqia e armëve të tyre dhe bëri beteja për 25 vite me radhe, të cilat bënë historinë e kohës, jehuan në të katër anët e planetit dhe Skënderbeu mori përjetësinë. Natyrisht ajo kohë ishte kohë perandorish, ishte kohë shekuj më parë, por Skënderbeu mbetet për çdo shqiptar, frymëzimi i tij. Skënderbeu mbetet engjëlli që ruan Shqipërinë dhe shqiptarët në çdo kohë.”, tha Berisha.
Sipas tij, ndaj Skënderbeu mbetet frymëzuesi i çdo shqiptari, që beson të vërtetën, që është i vendosur të sakrifikojë për të.
“Skënderbeu luftoi një pushtim të huaj, kurse ju po luftoni një pushtim të brendshëm më barbar se sa çdo pushtim tjetër që kanë njohur shqiptarët. Po luftoni një pushtim të brendshëm si pushteti i një kryehajduti që në 8 vite varfëroi, mjeroi duke vjedhur shqiptarët në mënyrë të pamëshirë dhe duke u pasuruar vetë me miliarda, me qeveritarët e tij, me suitën e tij.”, tha Berisha.
Sipas tij, Edi Rama me regjimin e tij në 8 vite rrokullisi shqiptarët në njerëzit më të keqpaguar në rajon.
“Prej muajsh e muajsh është dërguar në parlamentin e krimit ligji për minimumin jetik në mënyrë që shqiptarët të mos vuajnë për vaktin e ushqimit. Por ky ligj refuzohet sepse Edi Rama e di se duke i varfëruar shqiptarët, ata ose nënshtrohen gjithnjë e më shumë, ose largohen nga vendi i tyre.”, tha Berisha para mbështetësve të tij.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




