Berisha s’pranon humbjen: Shkodra votoi nën pushtim, Rama nuk lejoi emrin tim në fletën e votimit

Sali Berisha nuk ka pranuar rezultatin e humbje në zgjedhje, ku fajtor bëri qeverinë, që sipas tij ka ndërhyrë në mënyrë manipulative në rezultatin zgjedhor.
Humbja e Shkodrës, për Berishën ndodhi për shkak të terrorit qeveritar që ka bërë në atë qytet. Sipas tij qytetarët shkodranë votuan në pushtim të vërtetë nga bandat e Ramës.
“Farsa zgjedhore 2023 si farsa elektorale më e shëmtuar e Shqipërisë dhe Europës, po kundërmon çdo ditë e më shumë. Me këtë rast, unë vlerësoj raportin e OSBE/ODIHR, të Autoriteteve Lokale Rajonale dhe të Parlamentit Europian, të cilët dëshmuan se zgjedhësit shqiptarë votuan nën presion dhe jo të lirë. Kjo është kryefjala e këtyre zgjedhjeve, ku me presione të të gjitha llojeve, Edi Rama ndryshoi në mënyrë antikushtetuese, antiligjore, vullnetin e shqiptarëve, ndryshoi rezultatin e votimit.
Raporti paraprak, ndonëse është paraprak dhe jo përfundimtar, vë gishtin në problemet më madhore të këtyre zgjedhjeve, duke filluar nga makineria shtetërore elektorale si një përbindësh shkatërrimtar i procesit zgjedhor, si një akt që krijon pabarazinë më të madhe në procesin zgjedhor, ndalet në të gjitha format antiligjore të ndërhyrjes në vullnetin e qytetarëve shqiptarë nga qeveria, nënvizon blerjen masive të votës, gjer dhe presionet e tjera të administratës mafioze, më e pranishme se kurrë në qendrat e votimit dhe procesin e votimit. Shkodra votoi nën pushtim të vërtetë. Nëse mendon ti apo ndokush tjetër se tërhiqet Sali Berisha para krimit, ai sheh veshin pa pasqyrë. Unë kurrë nuk tërhiqem para bandat të krimit shtetëror dhe joshtetëror. Shkodran është shembulli më i shëmtuar, në të cilën u votua si në rrethim nga banda të Edi Ramës”, tha Berisha.
Një tjetër arsye që përmendi për rezultatin e dobët në zgjedhje, Berisha tha se ishte mungesa e emrit të tij në fletën e votimit.
“E kemi të qartë si në dritën e diellit përpjekjen e narko shtetit për të asgjësuar opozitën e vërtetë si pjesëmarrëse në zgjedhje. Ajo jo vetëm i konfiskoi vulën jo vetëm e privoi nga të gjitha fondet që i takonin me ligj dhe kushtetutë por kaloi në aktin më absurd të mohimit të aktit të koalicionit për të zgjedhur kryetarin e vetë dhe i tmerruar nga emri i Sali Berishës nuk lejoi regjistrimin e tij.”, tha Berisha.
I pyetur nëse do të tërhiqej pas humbje së Shkodrës, Berisha tha se kjo nuk ka ape të ndodhur kurrë.
“Shkodra votoi nën pushtim të vërtetë. Të gjitha poll e kundërshtarëve, por edhe tonat e nxirrnin Bardh Spahinë 14-16 pikë para. Nëse mendon ti ose ndokush tjetër se tërhiqet Sali Berisha para krimit, ai sheh veshin e tij pa pasqyrë. Kurrë nuk tërhiqem para bandave të krimit shtetëror dhe jo shtetëror. Shkodra është shembulli më i shëmtuar në të cilën u votua si në rrethim nga banda të Edi Ramës. Në Shkodër u përdorën sasi kolosale, dhjetëra milionë euro, jemi bindur që qytetarët e Shkodrës zgjedhjen e krimit, pushtetin e krimit s’do ta pranojnë, kjo është përgjigja ime për ju”, tha Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



