Berisha: Të pengojnë disa kushte të tmerrshme të jesh i lirë! Reagon Alibeaj: Barrën e “non gratës” mos ua hidh demokratëve

Përplasjet mes Sali Berishës dhe Enkelejd Alibeajt sa vijnë dhe rëndohen më shumë me akuzat e hedhura ndaj njëri-tjetrit. Berisha, në konferencë për mediat një ditë pas protestës, e konsideroi Alibeajn një “lolo në duart e Taulant Ballës” dhe se “kushte të tmerrshme e pengojnë të jetë i lirë”.
“Zoti Alibeaj është mjerisht siç e shihni, një lolo në duart e Taulant Ballës, se Rama nuk ia var, ka ngarkuar Taulantin të merret me të. Dhe ai bën, në mënyrën më të shëmtuar, aktin më të shëmtuar në 30 vite, përfaqësuesin e asaj që nuk përfaqëson asgjë, përveç vetes së tij. Kjo është një lojë nga më të shpifurat e Edi Ramës, loja me Enkelejd Alibeajn. Çfarë e shtyn Enkelejd Alibeajn? Ju garantoj se pa ca kushte që i di vetëm ai, ai në këtë lojë depersonalizuese, por edhe të rrezikshme, se të bëhesh vegël e Edi Ramës në betejën kundër pluralizmit politik, merr mbi supe një gjë shumë të rëndë, një kolaboracionizëm kundër demokracisë që tejkalon çdo limit. Kështu që, duke iu rikthyer statutit të partisë, nuk parashikon përjashtime. Qëndrimet Alibeaj mund t’i përcaktojë vetë, por mendimet dhe opinionet e mia për të, janë këto që shpreha këtu”, tha Berisha.
Këtyre akuzave iu përgjigj Alibeaj, cili përmes një postimi në facebook tha se kushti i tij i vetëm është që peshën e rëndë të “non gratas” Berisha të mos ua hedh demokratëve dhe të mos i përdorë kauzat e opozitës për përfitimet e veta personale.
“Berisha në një dalje për mediat tha se Alibeaj është në dorë të Ramës, ndërsa thekson se i janë vënë disa kushte të tmerrshme, të cilat s’i bëri të ditura. Revanshi dhe gjuha e helmët e Sali Berishës ndaj atyre që mendojnë ndryshe nga ai, nuk e bën atë të ndryshëm nga Sali Berisha që bënte paqe dhe marrëveshje, p.sh. me Fatos Nanon dikur. Në tjetër i shpallur “armik” i madh, me të cilin u puth pa të keq më pas. Veçse këtë herë, me një PD që e përçau dhe sakatoi, siç deshi dhe për aq sa e do, e vetmja fitore e Sali Berishës është ajo ndaj “armiqve të brendshëm”, si në komunizëm. Është e qartë për çdo qytetar se rruga për largimin e Edi Ramës nuk kalon nga përçarja e opozitës por vetëm drejt bashkimit të saj! Bashkimit rreth vlerave të qytetarisë politike. Kush bën sikur nuk e kupton, thjesht përdor kauzën e opozitës, shpërdoron besimin e demokratëve veç për interes personal të vetin apo enturazhit të vjetërsuar politik. Sa për “kushte të tmerrshme”, po e kam një! Ajo që i rëndon si peshë atij e që do t’ua hedhë në kurriz mua dhe demokratëve: “non grata” e firmosur nga SHBA. Ky është kusht ‘sine qua non’”, ka shkruar Alibeaj.
Deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj nuk iu bashkua protestës së PD më 7 korrik, ndryshe nga deputetë e tjerë të grupit të tij që zgjodhën të shkonin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



