Berisha thirrje komunitetit shqiptar në Turqi: Flakeni me neveri mesazhin e Ramës, votoni për liritë tuaja

Ish-kryeministri Sali Berisha ka denoncuar publikisht ndërhyrjen e Edi Ramës në fushatën elektorale të Turqisë.
Berisha deklaron se Rama u ka kërkuar shqiptarëve në Turqi të votojnë më 14 maj për presidentin aktual të Turqisë.
Berisha i bën thirrje komunitetit shqiptar në Turqi që të flakin me neveri mesazhin e Ramës dhe të votojnë për liritë e tyre.
“Jam sot këtu për të denoncuar publikisht ndërhyrjen skandaloze të Edi Ramës në fushatën elektorale të vendit mik, Turqisë.
Me një mesazh të gjatë, që synon t’i adresohet komuniteti të gjerë shqiptar në republikën e Turqisë, Edi Rama, një armik i vërtetë i votës së lirë, në shkelje flagrante të ligjeve të vendit dhe atyre ndërkombëtare, u kërkon shqiptarëve, qytetarëve turq, të votojnë me 14 maj për presidentin aktual në largim të Turqisë.
Me këtë rast, duket dënuar këtë ndërhyrje të pafalshme dhe të palejueshme të një njeriu që nuk respekton asnjë ligj dhe asnjë normë, kombëtare apo ndërkombëtare, u rikujtoj komunitetit shqiptar në Turqi, duke i shprehur atij nderimin më të madh, se njeriu që u bëri thirrje nga Tirana se për kë duhet të votojnë, është një armik i vërtetë i lirive të qytetarëve shqiptarë, i votës së tyre, i pasurive të shqiptarëve, i ligjeve të vendit”, tha Berisha.
Ky i fundit shprehet se Rama ka vjedhur dhe përvetësuar nga taksat e qytetarëve miliarda euro.
Berisha tha se lidhjet personale të Edi Ramës me presidentin turk Tayip Erdogan nuk janë në përputhje me standardet e lidhjeve tradicionale mes kombeve të lira dhe mike.
“Këto lidhje janë para së gjithash në funksion të pushtetit të njëri-tjetrit.
Sikundër theksoj për të gjithë ju që ndjeni sadopak krenari me origjinën tuaj shqiptare se neo-otomanizmi është doktrinë vasaliteti, larg së qenit një doktrinë kulturale dhe miqësore mes vendeve”, shprehet ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




