Berisha thirrje qytetarëve: Më 19 prill të protestojmë për të shpëtuar Tiranën. SPAK-u është armiku juaj

Politikë | 3 vite më parë

Ish-kryeministri Sali Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën e opozitës para Bashkisë së Tiranës që është lajmëruar në 19 Prill.

Berisha theksoi se Shqipëria është i vetmi vend ku pas skandaleve s’jep askush dorëheqje. Për këtë arsye, sipas tij, qytetarët duhet të protesojnë para bashkisë së Tiranës.

Ish-kryeministri nuk kurseu as sulmet ndaj Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ku tha se armiku i vetë shqiptarëve është “Skapi i partisë” siç e quajti ai.

“Nuk ndodh kund si në Shqipëri, në asnjë vend të botës. Në çdo vend, para një skandali ka dorëheqje. Nuk ka Spak dhe amnistira! Miq, në qoftë se e drejta juaj ka një armik, ai është Skapi i partisë. Në qoftë se e drejta juaj ka një armik, ajo është gjykata e partisë.

Ndaj dhe e premtja është dita e ditëve, është ora e fitores, është ora e betejës, ora e triumfit qytetar, e ngadhënjimit të kryeqytetit mbi llumin, mbi hajnat e pastrimit të shtëpisë së parë të kryeqytetit të Shqipërisë. Miq, nuk durohet më. Durimi ka një kufi.

Le të lëshojmë përpara zemërimin e ligjshëm për shpëtimin e Tiranës. Zemërimin e ligjshëm për shpëtimin e dinjitetit tonë. Zemërimin e ligjshëm për shpëtimin e lirive tona. Zemërimin e ligjshëm për shpëtimin e Shqipërisë. Qeveri teknike, zgjedhje të lira është zotimi ynë.

Ndaj dhe ftoj qytetarët e Tiranës t’i shndërrojnë këto ditë dhe net që na ndajnë nga e premtja në ditë përkushtimi serioz, dialogu serioz me çdo qytetar. Në ditën e vendimeve më të guximshme të jetës sonë”, u shpreh Berisha nga dritarja e banesës së tij ku iu drejtohet çdo ditë qytetarëve që mblidhen në rrugën “Mustafa Matohiti” në formë proteste ndaj arrestit shtëpiak të ish-kryeministrit Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme