Berisha: Veliaj ka paguar në emër të Këshillit Bashkiak një ndërmarrje që nuk ekzistonte, të çohet para burgut

Incineratori i Tiranës ka qenë sërish kryefjalë e ish-kryeministrit Sali Berisha në konferenën e përjavshme për shtyp. Berisha ka akuzuar Kryebashkiakun Erion Veliaj se në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak do të kalojë me vendim 600 milionë për kompaninë e tij, me pronarë në letra Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.
“Erion Veliaj kërkon të kalojë sot në një mbledhje të mbyllur dhe më këtë rast u bëj thirrje këshilltarëve të opozitës, në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë, të mos lejojnë mbajtjen e asnjë mbledhje të këshillave bashkiakë me dyer të mbyllura.
Duke mbyllur sallat e parlamenteve lokale, kryetarët mafiozë duan të fshehin krimet e tyre të vazhdueshme. Iu bëj thirrje medieve, të përcjellin çdo mbledhje këshilli bashkiak kudo që zhvillohen.
Iu bëj thirrje qytetarëve që të imponohen me protesta të të gjitha formave, që mafiozët të mos mbyllin mbledhjet e këshillave bashkiakë. Nxin çdo ditë e më shumë monumenti i turpit i amnistisë së Erion Veliajt. Sot ai kalon në këshill bashkiak vendimin për 600 milionë të tjera për kompaninë e tij, me pronarë në letra Zoto dhe Mërtiri. 6 milionë euro kalon ky mafioz, duke zhvatur qytetarët shqiptarë me tarifën 29 euro toni, kur kontrata parashikon 11 euro”, tha Berisha.
Ish-kryeministri ka deklaruar se qytetarët duhet të reagojnë dhe ta çojnë Veliajn para drejtësisë. Sipas Berishës, kjo histori kriminale duhet të marrë fund.
“Edhe njëherë u bëj thirrje qytetarëve për ta kapur për zverku dhe për ta çuar aty ku e ka vendin, te dera e burgut. Sepse nëse presim për SKAPin, ju garantoj se ai do bëhet edhe kryeministër i Shqipërisë në mendjen e tij.
Erion Veliaj është mafiozi që vendosi të heqë dorë nga praktika e mëparshme e trajtimit të plehrave me landfill- veçim, seleksionim dhe riciklim dhe të kalojë me djegie. Askush në Shqipëri nuk mund të vendoste përveç atij. Erion Veliaj është falsifikatori monstruoz, ka paguar në emër të Këshillit Bashkiak për të paguar një ndërmarrje që nuk ekzistonte.
Erion Veliaj është iniciatori i përdorimit të koncesionit privat për trajtimin e plehrave të Tiranës, në dallim nga dy djegësit e tjerë, të Fierit dhe të Elbasanit. Erion Veliaj është përgjegjës për tetë pikët që iu dhanë një kompanie që nuk ekzistonte. Erion Veliaj, i amnistuari i SKAP-it, heq nga fondet e arsimit, 430 milionë lekë dhe i inkason në sipërmarrjen e tij”, akuzoi Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




