Bie niveli i ujit në Fierzë, mungesa e reshjeve ul rezervat hidrike në 270 metra mbi nivelin e detit
Niveli i ujit në liqenin e Fierzës ka shënuar rënie gjatë muajve të fundit, si pasojë e mungesës së reshjeve dhe temperaturave të larta. Të dhënat e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare tregojnë se aktualisht kuota e liqenit është rreth 270 metra mbi nivelin e detit, ndërsa mesatarja shumëvjeçare për periudhën e verës është rreth 280 metra.
Megjithatë, situata aktuale konsiderohet e menaxhueshme për prodhimin e energjisë elektrike. Sipas të dhënave të KESH, nivele të tilla për muajt gusht dhe shtator janë të rralla, ndërsa rezerva e ujit pritet të mundësojë vijimin e prodhimit deri në fillimin e reshjeve të vjeshtës.
Konsumi i energjisë është rritur gjithashtu për shkak të temperaturave të larta, duke shtuar kërkesën për energji elektrike gjatë verës. Për të garantuar furnizimin e sistemit gjatë muajve shtator dhe tetor, KESH ka hapur një procedurë për blerjen e energjisë, me vlerën totale të importeve të parashikuara për periudhën e vjeshtës që arrin rreth 41 milionë euro.
Objektivi i vendit është që deri në vitin 2030 më shumë se gjysma e energjisë elektrike të prodhohet nga burime të rinovueshme, duke diversifikuar burimet e furnizimit dhe duke ulur varësinë nga reshjet.
Gazetare: I. Bajraktari
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



