Bill Klinton në Shqipëri, i akordohet sot Medalja e Mirënjohjes Publike

Politikë | 3 vite më parë

Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Bill Klinton i cili ka mbërritur pak më parë në Shqipëri do të nderohet në një ceremoni të veçantë nga qeveria shqiptare.

Në pritjen e organizuar për nder të ish-presidentit amerikan, atij do t’i akordohet nga kryeministri Edi Rama kordoni i Madh me Yllin e Mirënjohjes Publike.

Në urdhrin që disponon RadioTelevizioni Publik Shqiptar, shpjegohet edhe motivacioni për të cilën jepet kordoni i Madh me Yllin e Mirënjohjes Publike.

“Për kontributin e paçmuar për Shqipërinë, Kosovën dhe krejt Ballkanin Perëndimor, në rrugëtimin e tyre të demokracisë e prosperitetit, si edhe në krijimin e lidhjes së pandashme të aleancës strategjike mes dy vendeve tona”, thuhet në urdhrin e kryeministrit Edi Rama.

Ndërkaq, ish-presidenti amerikan Bill Klinton u prit në aerport  nga kryeministri shqiptar Edi Rama. Rama ka postuar në Facebook foto krah Bill Klintonit, sapo ky i fundit ka zbritur në tokën shqiptare ndërsa e konsideron mikun e përjetshëm të kombit shqiptar.

Rama fton shqiptarët në ceremoninë e mikpritjes së ish- presidentit që do të zhvillohet në 18:30 në Kryeministri.

“Me presidentin Bill Clinton, mikun e përjetshëm të kombit shqiptar, i cili sapo shkeli për herë të parë në Shqipëri

Jeni të mirëpritur të gjithë tek Kryeministria, sot në 18:30 për ceremoninë e mikpritjes së Presidentit Clinton dhe adresimin e tij për të gjithë shqiptarët“, shkruan Rama.

Ambasada amerikane: Vizita është një moment domethënës në miqësinë e qëndrueshme mes vendeve tona

Edhe ambasada e SHBA në Shqipëri, ka përshëndetur vizitën e ish- presidentit, Bill Clinton në Tiranë. Ambasada amerikane pasi i uron mirëseardhjen, thekson se “kjo vizitë tregon domethënien e miqësisë mes dy vendeve”.

“Mirë se erdhe në Tiranë President Clinton! Vizita e parë e ish-presidentit në Shqipëri është një moment domethënës në miqësinë e qëndrueshme mes vendeve tona”,- shkruan ambasada amerikane.

Në vijim ish-presidenti Klinton do të akomodohet në një prej vilave qeveritare dhe më pas në 18.30, në selinë e qeverisë ku do të marrë pjesë në një takim informal me kabinetin qeveritar.

Më pas ish-presidenti do t’i drejtohet ceremonisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku pas ekzekutimit të himneve kombëtare të SHBA-ve dhe Shqipërisë, do të nderohet me Kordonin e Madh me “Yllin e Mirënjohjes Publike”.

Klinton shërbeu si presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara nga viti 1993 deri në 2001.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme