Bjeshkët e Tropojës atraksion i çdo stine, RTSH sjell detajet e imazheve më të bukura në Ballkan

Sezoni turistik që ka nisur po tërheq në Shqipëri qindra turistë. Sipërfaqja e madhe, thyrjet e format e larmishme, dëbora që zgjat edhe gjatë verës, pyjet, lëndinat plot bukuri e freski, fauna e pasur me kafshë e shpendë të egër janë disa nga detajet e bjeshkëve të Tropojës, që konsiderohen si më të bukurat në Ballkan.
Janë pikërisht këto atraksione të rralla që e bëjnë këtë zonë një mrekulli për të kaluar ditët e verës jo vetëm për banorët e zonës, por edhe për turistë të huaj që vizitojnë Shqipërinë.
Këto imazhe fantastike i përkasin bjeshkës së Nikaj-Merturit, një oaz plot lule e bukuri, ku malet me dëborë puthen me qiellin e kaltër e ku gjithkush dehet shpirtërisht duke u njohur me Bjeshken e Ugarit të Palçit.
Kjo bjeshkë para shumë vitesh banohej nga bjeshkëtarë të shumtë gjatë muajve të verës, por në aktualisht banohet vetëm nga dy familje, por familja e Afrim Gjergjit ka menduar më larg.
Në këtë perlë të turizmit malor, kalojnë me qindra vizitorë për tu njohur me bukuritë e rralla që mbartin këto male.
Ata kanë ngritur një bujtinë në rrugën e kalimit nga Nikaj- Mërturi drejt Dukagjinit, ku mund të gjesh të gjitha ushqimet bio, mikpritjen e rrallë malësore dhe bukurinë e bjeshkëve. Zhvillimit të mëtejshëm të turizmit do i japë edhe rruga automobilistike, e cila lidh Lekbibajt me Dukagjinin.
Për tu frymëzuar në këtë mrekulli të krijuar nga natyra, këto ditë aty kanë shkuar edhe artistë, të cilët gjejnë muzën e munguar në zonat urbane.
Kjo është një krahinë që shtrihet në pjesën perëndimore të Tropojës, në Jug-Lindje të Alpeve shqiptare, në kufi me Dukagjinin.
Aty gjenden: maja e Hekuarve, grykat e Hapta, maja e Kakisë 2360 m, maja e Ndërmanjes 2250 m dhe ka klimë malore me dimër të ashpër, me rreshje të shumta bore dhe me verë relativishtë te freskët. Bimësia është e zonës së dushkut, ahut e pak pishë ndërsa ka kullota të pasura alpine.
Kufijtë e kësaj zone janë të vëndosura që nga mali i Hekurave, qafa e Koliçit në lindje, vazhdon me qafën e Agrit në perendim dhe në jug me Toplanën. Drini e ndanë këtë zonë me Pukën.
Qafat kryesore që zotërojnë mbi këtë zonë janë Qafa e Kolcit që lidh luginën e Nikaj-Mërturit me Krasniqen.
Lugina e Nikaj-Mërturit përshkohet nga dy lumenj:Lumi i Nikajve dhe lumi i Mërturit.
Zona e Nikaj-Mërturit perbahet prej 12 Fshatrash. Ato janë: Lekbibaj, Salcë, Palçë, Kotec, Brise, Gjonpepaj, Peraj, Tetaj, Curraj i Poshtem, Betosha, Shëngjergj, Curraj i Epërm, Qeresh-Mulaj.
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




