BKH/ SHBA trajnon mbi 30 hetues dhe prokurorë për krimet dhe korrupsionin

Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin palë në krijimin e instrumenteve për të hetuar krimin dhe korrupsionin në Shqipëri dhe vijojnë ta mbështetin aftësimin profesional të strukturave, si Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Ambasada amerikane njoftoi të martën kthimin pas trajnimit në SHBA të 32 hetuesve të BKH-së dhe dy prokurorëve të posaçëm.
Hetuesit u kthyen nga Uashingtoni, ku shkëmbyen eksperiencën me Akademinë e Byrosë Federale të Hetimit (FBI) dhe morën pjesë në disa takime më homologët e tyre amerikanë të forcave të rendit.
“Grupi vizitoi gjithashtu Departamentin e Drejtësisë së SHBA dhe Qendrën e Bashkërendimit dhe Analizës (Fusion) në Maryland, Departamentin e Policisë në Baltimore dhe Administratën e SHBA kundër Narkotikëve (DEA). Bisedime të dobishme për të dyja palët u kryen për çështje kritike si shkëmbimi i informacionit dhe inteligjencës, bashkëpunimi i ndërsjellë ligjor, korrupsioni publik, organizatat transnacionale kriminale dhe të trafikut të drogës, të arratisurit ndërkombëtarë, marrëdhëniet me mediat, asetet virtuale dhe analizat financiare në hetime komplekse, udhëheqja, negociatat e krizave, shëndetësia dhe mirëqenia, eksplozivët dhe zhvillimi i burimeve njerëzore,” njoftoi ambasada në rrjetin social Facebook.
Trajnimi i stafit shqiptar është pjesë e Programit Ndërkombëtar të Ndihmës për Trajnimin për Hetimet Penale (ICITAP), i drejtuar nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA me financim nga Byroja Ndërkombëtare e Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit të Departamentit të Shtetit të SHBA (INL).
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




