Bombardimet në Gaza, konflikti po rrezikon të përhapet edhe në Liban

Të paktën 122 palestinezë humbën jetën dhe 256 të tjerë u plagosën në 24 orët e fundit në Rripin e Gazas, nga forcat izraelite.
“Okupuesit izraelitë kryen 12 masakra kundër familjeve, duke e çuar numrin toral të viktimave në 22.722 dhe të plagosurve në 58166”, u tha në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë të enklavës.
Sulmet izraelite e kanë kthyer Gazën në gërmadha, me 60 për qind të infrastrukturës të dëmtuar ose shkatërruar dhe gati 2 milionë banorë të zhvendosur, të cilët përballen me mungesë akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Konflikti i heshtur i cili nisi pas sulmit ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor, tashmë rrezikon të përhapet më gjerë.
Milicia Hezbollah e Libanit lëshoi orët e fundit dhjetëra raketa në veri të Izraelit duke paralajmëruar se kjo breshëri ishte përgjigja fillestare ndaj vrasjes së një gjenerali të lartë të Hamasit. Por, edhe Izraeli u kundërpërgjigj duke kryer sulme ndaj disa objekteve ushtarake të hezbollahut në Liban.
Kreu i kësaj organizate Hassan Nasrallah në një fjalim përsëriti se vdekja e Saleh Al-Arouri nuk do të mbeste pa u ndëshkuar, ndërsa paralajmëroi se njerëzit në veri të Izraelit do të jenë të parët që do të mbajnë pasojat në rast të një konflikti më të gjerë. Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken tashmë ka nisur një vizitën në Turqi në kuadër të turnet që po zhvillon në rajon mbi gjetjen e një zgjidhjeje. Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, beson se Turqia dhe të tjerët mund të kenë ndikim, veçmas ndaj Iranin dhe bashkëpunëtorët e tij, për të ulur frikën për përhapjen e konfliktit.
Gazetar: A.Mata
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




