Bordi i Karburanteve në “Kushtetuese”, PD: Është në konflikt të pastër interesi

Gjykata Kushtetuese ka zhvilluar seancën lidhur me kërkesën e PD për të rrëzuar Bordin e Karburanteve, që e cilësojnë në dëm të interesave të qytetarëve. Pas përfundimit të seancës, ku PD paraqiti argumentet e saj, dy deputetët demokratë Dhurata Çupi dhe Dashnor Sula theksuan se “bordi është në konflikt të pastër interesi”.
Deputeti Sula hodhi akuza të rënda ku tha se nafta në Shqipëri ose vjen kontrabandë ose nafta e Albpetrolit që është për eksport shitet në vend. Këtë, Sula e argumentoi me faktin se “nuk ka mundësi që dyfishohet numri i makinave dhe zhdoganohet më pak naftë”.
“Kemi rastin e kontrabandës së madhe dhe kemi rastet flagrante që janë kapur mijëra tonelata naftë kontrabandë në brigjet shqiptare. Këtë naftë kontrabandë e kanë operatorë të fuqishëm të tregtimit të karburanteve në Shqipëri? Sigurisht e kanë operatorë të fuqishëm të tregtimit të karburanteve në Shqipëri. Si ka mundësi që dyfishohet numri i makinave dhe zhdoganohet më pak naftë se kur ishin më pak makina?
Ka dy rrugë ose nafta është kontrabanduar ose nafta që nxjerrin nga Albpetroli, dhe është e detyruar të kalohet për eksport dhe që nuk mund të përdoret në Shqipëri, mund të jetë në tregun shqiptar dhje kjo mund të ndikojë në cilësinë e naftës që përdoret nga makinat në Shqipëri. Dy rrugë kontrabanda ose nafta që duhet të dalë për eksport nuk del” tha Sula.
Çupi tha se ky projektligj duhet të shfuqizohet pasi cenon të drejtën kushtetuese.
“Një bord publik-privat në kushtet të pastër të konfliktit të interesit dhe i paparë në asnjë vend tjetër, ku 5 tregtarët më të mëdhenj të karburantit bëhen pjesë e qeverisë dhe caktojnë çmimet e karburantit. Çmimet e karburantit kanë qenë të jashtëzakonshme më të larta në 30 vite. Në dëm të interesave të qytetarëve. Ky projektligj duhet të shfuqizohet”, tha Çupi.
Në shtator të 2022, 29 deputetë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dorëzuan në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e Bordit të Transparencës për çmimet e karburanteve me argumentet se cenon lirinë ekonomike dhe konkurrencën në treg.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




