Bordi i Transparencës cakton çmimet e reja të naftës dhe benzinës, ja sa do të shiten nga sot

Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të Çmimeve të Tregtimit me Shumicë dhe Pakicë të Nënprodukteve të Naftës dhe Gazit ka zhvilluar mbledhjen e dytë, duke përcaktuar çmimet e reja për naftën dhe benzinën në tregun shqiptar.
Sipas vendimit të marrë më 22 shtator 2026, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për gazoilin e standardit SSH EN 590 do të jetë 213 lekë për litër, ndërsa çmimi maksimal i shitjes me shumicë do të jetë 201 lekë për litër.
Për benzinën e standardit SSH EN, Bordi ka përcaktuar një çmim maksimal prej 193 lekësh për litër në shitjen me pakicë dhe 181 lekësh për litër në shitjen me shumicë.
Çmimet e reja do të hyjnë në fuqi sot, më 22 shtator, në orën 12:00 dhe do të qëndrojnë në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të shqyrtohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Bordi u ka tërhequr vëmendjen të gjithë operatorëve që ushtrojnë aktivitetin e tregtimit me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës për detyrimin e zbatimit të vendimit.
Në rast të konstatimit të shkeljeve nga operatorë të ndryshëm, autoritetet paralajmërojnë se do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, deklaron se është angazhuar për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjen e parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
Njoftim për Shtyp
Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit, në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16.09.2026 “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, në zbatim të nenit 21/3 dhe nenit 21/5 të Ligjit 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, si dhe të Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, zhvilloi mbledhjen e dytë.
Kështu Bordi i Transparencës në datë 22 Shtator 2026, vendosi:
✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 213 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 201 lekë/litër.
✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 193 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 181 lekë/litër.
🗓️Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 22 ora 12.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
⚠️Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
🚫Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
🛢️ Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




