Braçe: Në tregjet ndërkombëtare janë ulur çmimet, po këtu pse nuk reflektohet

Deputeti socialist Erion Braçe ka deklaruar se në tregjet ndërkombëtare çmimet janë ulur por kjo nuk është reflektuar në tregun shqiptar.
Braçe tha se përpara se deputetët të lëshojnë akuza të ndërsjella në Kuvend duhet të ndërmarrin veprime ligjore dhe institucionale që të bëjnë që tregjet të funksionojnë.
“Çmimet e ushqimeve në botë kanë rënë me 22.1%, ndërkohë që çmimet e drithërave në raport me prillin e këtij viti ranë me 4.8%, me një vit më parë kanë rënë me 25.3%. Çmimet e vajrave vegjetal, kanë rënë gjatë muajit maj në raport me prillin me 8.7%, ndërkohë me një vit më parë 48.2%.
Çmimet i mishit me 1% në muajin prill dhe me 5% në raport me një vit më parë. të vetmet që kanë pësuar rritje janë çmimet e sheqerit. Kam një pyetje për ata që bëjnë pazar, keni verifikuar të këtë rënë çmimi i vajit, i bukës sa ka rënë çmimi i drithërave.
Më e rëndësishme se sa të shahemi e të tregojmë me gisht secilin është të bëjmë tregjet të funksionojnë, ata që janë matanë kanë nevojë të ushqehen me cilësi, përsa kohë të bien çmimet në tregjet ndërkombëtare, të reflektohen edhe këtu”, tha Braçe.
Braçe u ndal edhe te Bujqësia. Në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit Braçe tha se nuk është marrë asnjë masë mbi infektimin e tokave bujqësore në Myzeqe.
“E dyta që kam si shqetësim është me një fakt të rëndësishëm që ka të bëjë me infektimin e tokave bujqësore në Myzeqe. Edhe këtë vit nuk po e lejojnë bujqit që të merren me një cikël tjetër për shkak të karkalecit të tokës. E mbjell sot bimën, e ha karkaleci nesër. Kaq e rëndë është gjendja.
Fola në Kuvend që në muajin shkurt që ministria përgjegjëse të merrte masa dhe sot e konfirmova se sa e parëndësishme është të jesh deputet dhe të merresh me hallet e njerëzve, sa të zhvlerësuar bëhemi secili prej nesh kur shkon atje dhe flet me njerëzit sa kohë askush nuk reflekton të dëgjojë, por vazhdon historia që kur ti ngre një problem nuk merren me hallet, por me ty.
Tani ka një shprehje nga një film se çfarë duhet t’i bëhet bahçes në këtë moment, por ka ende kohë për këtë. Ka ende kohë që secili të shohë veten në raport me detyrën”, theksoi Braçe.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




