Burg për Vangjush Dakon, avokati: Veprim i ngutshëm, prokuroria nuk paraqiti asnjë provë

Aktualitet | 3 vite më parë

Avokati i ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, Petrit Ismaili e ka konsideruar një veprim të ngutshëm nga SPAK për kërkimin e masës së sigurisë “Arrest me burg”, pasi sipas tij nuk paraqiti asnjë provë.

Pas dhënies së masës së sigurisë nga GJKKO duke lënë në burg Vangjush Dakon, avokati tha se edhe pse u kërkuar lehtësim i masës së sigurisë, prokuroria kërkoi “arrest me burg” duke mos plotësuar kushtet për këtë masë sigurie.

Avokati shtoi se edhe në rastin e abuzimit me një tender, do provohet se ka të bëjë me një lapsus dhe nuk ekziston vepra penale.

“Vendimi për mendimin tonë është në dispropocion për kohën e kryerjes. Dako po hetohet për një fakt penal historik. Ka 10-12 vjet që pretendohet për veprën penale, po t’i referohemi dispozitave për këto lloj masa sigurimi kërkohet një veprim procedurial i ngutshëm për të marrë këtë masë. Vepra penale ka mbi 10-12 vjet. Prokurori nuk tregoi asnjë provë për këtë veprim të ngushtshëm e asnjë provë për të justifikuar kushtet e kriteret e masës së sigurisë.

Kërkesa jonë është ndryshimi i masës së sigurisë. Dako e ushtron aktivitetin e tij nëpërmjet organeve kolegjiale. Çdo strukturë ka përcaktuar detyrat. Nuk mund të mbajë kryetari përgjegjësi për strukturën organike.

Edhe gjatë gjykimit sidomos për veprën e dytë doli qartë që është lapsus i prokurorisë. E pranoi lapsusin dhe do e provojmë që vepra penale nuk ekziston”, tha Petrit Ismaili.

Vangjush Dako u arrestua më 6 qershor për shpërdorim detyre lidhur me dy raste. SPAK shpjegon se Dako në bashkëpunim me 9 ish-zyrtarët e tjerë “kanë legalizuar një objekt të ndërtuar para zbardhjes së lejes së ndërtimit, dhe jo sipas projektit të miratuar. Dako së bashku me drejtorin e firmës së ndërtimit, arkitekten dhe topografët kanë shpërdoruar detyrën, pasi nuk kanë pasqyruar në dokumentacionin tekniko-ligjor, të objektit të vërtetën në lidhje me kohën kur janë bërë punimet dhe është realizuar ndërtimi, duke bërë që këto akte të jenë të falsifikuara në përmbajtje”.

Në rastin e dytë, SPAK thekson se në vitin 2014 ka rezultuar se Bashkia e Durrësit ka kryer një procedurë prokurimi, për shërbim konsulence, sigurimin e një projekti të quajtur “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”. Sipas SPAK grupi i ngritur nga Dako për vlerësimin e projektit kanë nxjerrë në mënyrë të qëllimshme një vlerë shumë herë më të lartë se sa vlera reale e përcaktuar edhe me VKM.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme